jump to navigation

SHQIPTARËT SI ELMENT PËRBËRËS 19 Mars, 2010

Posted by Fejzula Abdulai in Shkencë.
trackback

SHQIPTARËT SI  ELMENT PËRBËRËS
NË STRUKTURËN DEMOGRAFIKE TË
POPULLSISË NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË

Pozicionimi i Republikës së Maqedonisë ne Ballkanin Qendror, përkatësisht në hapësirën ku kalojnë rrugët me karakter ndërkombëtar, në drejtim lindje-perëndim e veri-jug të paradisponuara prej luginave të lumenjëve dhe qafave malore, i kanë mundësuar këtij vendi, ndonse i vogël për kah territori, një lidhje natyrore mjaft të volitshme me vendet e tjera të rajonit e më gjerë. Faktorët natyrore- gjeografikë dhe strategjikë mjaft të volitshëm, kanë tërhequr  interesin e popujve të ndryshëm që të bëjnë popullimin e kësaj gjeohapësire natyrore.

Pikërisht këto arsye kanë mundësuar që sot Maqedonia    paraqet një mozaik të etniteteve, bashkë me to  e të kulturave  të ndryshëm, të cilët aty janë paraqitur për një periudhë kohore mjaft të gjatë, duke filluar prej asaj parahistorike, në fund të kohës së vjetër dhe në mesjetën e hershëme e të vonshëme. Disa prej tyre kur ka ardhur koha janë largur, kurse të tjerët kanë mbetur për gjithmonë. Aty tani si nacionalitete më të numërt janë Maqedonët e ardhur në fillim të mesjetës dhe në vend të dytë vijnë Shqiptarët, paraardhësit e të cilëve aty janë vendosur qysh në kohën e popullimit antik. Prej nacionaliteteve të tjera, në regjistrimin e vitit 1994,  janë të evidentuar 22 përfaqësues numri i të cilëve në periudha të caktura, varësisht prej rrethanave shoqërore-politike, tregon ritje ose zvogëlim (1).

Në kontekstin e këtij punimi do bëhet fjalë për popullatën shqipare si element përbërës në strukturën demografike të Maqedonisë dhe përfshirjen e saj në procesin arsimor pas Luftës së Dytë Botërore gjer në kohën e fundit, duke dhënë një vështrim kritik lidhur me qëndrimet e qeverive te kohës ndaj këtij nacionaliteti, që tani është element përbërës në shtetin maqedonas.

Si vlerësohet rëndësia shkencore dhe praktike e strukturës

nacionale të popullsisë në studimet e reja shkencore

Në studimet e reja shkencore të bëra në territorin e këtij vendi, mund të shihet se rëndësia shkencore e njohjes në detaje të bashkësive nacionale vlerësohet lartë  në aspektin demografik dhe demogjeografik. Në fakt, rëndësia e shumëfishtë shkencore shihet nëse analizohen të gjitha problemet që paraqiten në sferat e jetës sociale, ekonomike, arsimore, kulturore e kështu njgjajshëm, sepse, shikuar nga aspketi struktural, çdo etnitet është element përbërës i popullatës së përgjithshme të vendit dhe do të ishte jo kompleks studimi i njëanshëm i popullatës së vendit. Njohja e përbërjes së këtij elementi në strukturën demogarfike të vendit ka edhe rëndësinë praktike. Kjo, nga ky aspekt mund të shihet se duke njohur përbërjen e këtillë do mund të zbulohen më lehtë edhe problemet e paraqitura në sferat e ndryshme të jetës dhe masat që duhet ndërmarë në eliminimin e tyre.

Shikuar në të kaluarën, popullatës shqiptare në përbërjen demografike në qarqet shkencore dhe politike të regjimeve të ndryshme në shtetet sllave, duke filluar prej Mbretërisë jugosllave të para LDB dhe të asaj moniste, nuk i është dhënë ndonjë tretman me rëndësi të posaçëm shkencor me qëllim që të nxirret në dritë e  vërteta e tyre si element përbërës, që pastaj të veprohej në eleminimin e problemeve që mund t’i kishte ky etnitet, siç veprohej me nacionalitetet e tjera sllave. Në fakt rëndësia shkencore e tyre ka qenë që të nxirret e vërteta e shqiptarëve se kinse ata, në dallim prej nacionaliteteve të tjera, dallojnë për nga cilësitë njerëzore dhe demografike. Kurdoherë është synuar që para botës të tregohen si një popull i pacivilizuar dhe me një shtim natyror mjaft të lartë dhe që në instancën e fundit paraqet një kërcënim të madh ndaj popullatës, siç e quajnë ata, më të civilizuar sllave. Ndaj edhe sot mund të kuptohet se dallimet në nivelin social-ekonomik, arsimor, kulturor dhe në shumë fusha të tjera, janë si rrjedhojë të rreathanave të ndryshme politike-shoqërore dhe ekonomike që kanë ekzistuar në të kaluarën, që sot në jetën praktike popullatës shqiptare në veçanti i sjellin probleme të dalluara të cilët me vështirësi mund të kalohen.

Numri dhe pjesëmarrja e shqiptarëve

në numrin e përgjithshëm të vendit

Lëvizjen e numrit të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë do mundemi pjesërisht ta përcjellim gati në tërë shekullin e kaluar dhe në fillim të këtij shekulli. Për shkak të ndryshimeve politike- shoqërore që patën ndudhur në periudhën kohore të përmendur, atë do ta ndajmë në disa periudha: gjer në Luftën e parë Botërore; në mes dy luftrave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore gjer në shpërbërjen e Jugosllavisë moniste, përkatësisht kur Maqedonia formohet si shtet më vete.

Është fakt i njohur historik  se në tërë periudhën kohore trojet ku kanë qenë të populluar shqiptarët patën qenë të okupuar nga okupues të ndryshëm të cilët gjatë regjistrimit (numërimit) të popullsisë duke pasur qëllime të caktuara të karakterit politik, kanë përdorur metoda që nuk kanë qenë aq efikase në nxjerrjen në dritë të së vërtetës lidhur me numrin e përkatësisë kombëtare, posaçërisht për atë josllave (shqiptare), gjatë okupimit sllav. Kështu, bie fjala, në kohën e okupimit osman, popullsia regjistrohej sipas përkatësisë konfesionale, duke i përfshirë në një vend , p.sh., popullatën shqiptare myslimane me atë rome, dhe me ndonjë tjetër që i ka takuar  këtij konfesioni. Madje, çështë me rëndësi, në këtë kohë regjistrimin e bënin njerës joprofesionistë, kurse okupatorit i interesonte më së tepërti numri i popullatës së gjinisë mashkullore e moshës së ritur dhe e aftë për shërbimin ushtarak.  Pra kjo flet se të dhënat e nxjerra në këtë mënyrë është mjaft vështirë që të përdoren në kërkimet shkencore, sepse ndodh që gjatë një studimi mund të vijet në konstatime jo të plota dhe përfundime të gabuara. Në këtë mënyrë është bër edhe një regjistrim menjëherë pas mbarimit të luftërave ballkanike. Pra në periudhën e parë kemi dy regjistrime, nëse kështu mund t’i quajmë, një është në vitin 1900 dhe tjetri në vitin 1913. Këto nuk janë regjistrime zyrëtare të organizuar nga organet qeveritare të kohës.

Regjistrimet e parë zyrëtarë paraqiten në mes dy luftërave botërore, në vitin 1921 dhe 1931 të organizuar nga organet shtetërore. Në këtë periudhë kohore të sundimit serb në Maqedoni dhe në trojet e tjera ku kanë banuar shqiptarët, është synuar që nacionaliteti shqiptar  me numër të tregohet më i vogël dhe në rajone të ndryshme ku ka qenë e mundur të bëhej transfer në turqë. Kjo bëhej me parapërgatitje dhe qëllime të caktuara sepse qeveritarëve të borgjezisë serbomadhe të kësaj kohe i interesonte që të bëjë shfarrosjen e shqiptarëve nga trojet e veta shekullore. Kjo do të mbrihej në transferin sa më të madh të shqiptarëve në turq dhe pastaj të shpërngulen në Turqi. Metodat e këtilla fashistoide e gjenocidale okupuesi serb gjer diku edhe i realizoj në praktikë. Ky dhe fakte të tjera dëshmojnë se regjistrimet në mes dy luftrave botërore, edhe pse zyrëtare, nuk e kanë treguar të vërtetën e numrit të këtij nacionaliteti që jeton me shekuj në trojet e veta.

Pas Luftës së Dytë Botërore, me shpërbërjen e Mbretërisë jugosllave, krijohet Jugosllavia me orientim socialist e cila aso kohe botërisht qe deklaruar me të drejta të barabarta të të gjithë kombeve dhe kombësive të përfshirë në shtetin multietnik. Mirpo, kjo ka qenë vetëm de jure e përfshirë në dokumentat më të larta qeveritare, por jo edhe de facto, sepse praktika qe shumë lark së vërtetës. Gati në të gjitha regjistrimet zyrëtare

(gjithsej qenë mbajtur pesë regjistrime) numri i shqiptarëve pat qenë më i vogël se sa duhej që të jetë. Kjo mund të sqarohet edhe me faktin se gjatë regjistrimeve të cilët organizoheshin sipas republikave, organet qeveritare duke synuar që të tregojnë një numër sa më të madh të nacionaliteteve sllave, organizonin regjistrim edhe nëpër përfaqësitë konzulare të vendit në botën e jashtme. Në këtë mënyrë shqiptarët e botës së jashtëme nuk qenë përfshirë  në asnjë regjistrim. Praktika e këtillë, siç duket, po vazhdon edhe në Maqedoninë e sotëme. Këto ishin disa të dhëna faktografike që tregojnë pse numri i shqiptarëve nën sundimin e huaj, qoftë osman, qoftë sllav, për çdo herë është synuar që të tregohet i minimizuar dhe lark realitetit absolut. Mirpo, ne, sidoqoftë, për të pasur një pasqyrë për numrin e shqiptarëve, edhe pse jo afër së vërtetës, do t’i përdorim të dhënat e tërë regjistrimeve në periudhën njëshekullore.

Megjithatë, për hir të se vërtetës, në studimet e reja shkencore, përkatësisht siciogjegrafike të bëra për popullsinë e Maqedonisë, janë nxjerrë në dritë disa dukumenta osmano-turke (Tahrir defterleri) që ruhen në Arkivin e qeverisë (Basbalkanlik Arsivi) në Republikën e Turqisë në Stamboll, si edhe në defterët kadastrale (Tapu ve kadastro umum mudurlugu) në Arkivin historik në Ankara, ku mund të shihen të dhënat për numrin e popullsisë në territorin e Maqedonisë në kohën e sundimit osman (2). Në këta dokumenta popullsia është regjistruar me emër e mbiemër për çdo vendbanim, fshat e qytet, sipas përkatësisë konfesionale (fetare): muslimanë, të krishterë, jobesimtarë, ebrejë, romë etj. Aty mund të shihen edhe elemente të tjera të strukturës ekonomike të popullsisë, si: funksionet e personave, pasuria e patundshme, numri i kafshëve dhe të hollat që kanë paguar për tatime vjetore. Duhet potencuar se regjistrimet e asaj kohe janë bërë sipas sanxhaqeve dhe nahieve. Të dhënat e nxjerra nga këto dokumenta tregojnë se në vitin 1451 në Shkup janë regjistruar 516 familje muslimane dhe 339 familje të krishterë, kurse në Manastir, si qytet i dytë me madhësi, janë evidentuar 295 familje muslimane dhe 175 familje të krishterë. Në Shkup në vitit 1569 numri i konfesioneve në fjalë është akoma më i madh. Në këtë vit janë të evidentuar 511 familje të krishterë dhe 1559 familje muslimane dhe 53 familje ebreje. Në Manastir, nga ana tjetër, zvogëlohet numri i familjeve të krishterë në 135, kurse i atyre muslimane ritet në 618. Ebrejët në këtë qytet numërojnë  285, kurse romët 51 familje. Në Kërçovë, po në këtë vit (1569), janë të regjistruara 80 familje muslimane dhe 42 të krishterë. Për periudhën e shekullit 15 ekzistojnë të dhëna edhe për qytetet e tjera, Tetovën, Kërçovën, Prilepin, Velesin, Fëllërinën (Fllorina), Kosturin, Demir Hisarin e tj. Nga këto të dhëna dhe në atë që përmendëm më lartë, shihet se ekzistojnë të dhëna për popullsinë e kësaj ane në defterët osmanë të paraqitura sipas përkatësisë fetare. Aty nuk mund të shihet se ky popull i kujt nacionaliteti është, por një gjë dihet se, pasi shqiptarët e e këtyre trojeve me  shumëcë  janë të konfesionit musliman, atëheren mun të supozohet se në fakt bëhet fjalë për popullatën shqiptare.

a) Numri i shqiptarëve në periudha të caktuara kohore

1. Gjer në LPB .- Të dhënat në këtë periudhë kohore sipas përkatësisë kombëtare i gjejmë tek dy autorë: V. K’nçov për vitin 1900, i cil i ofron sipas përkatësisë konfesionale, por mund të shihet një farë evidentimi edhe sipas asaj kombëtare dhe M. Vujiçiq për vitin 1913. Kështu, autori i parë në vitin 1900 jep të dhëna të cilat edhe pse joprofesionale dhe mjaft diskutabile, janë një farë indikatori që e tregojnë gjendjen popullative të kësaj kohe. Ky autor të dhënat numerike i jep për Maqedonënë si tërësi natyrore-gjeografike. Maqedonët i ndan në të krishterë dhe muslimanë; po ashtu edhe shqiptarët i ndan sipas përkatësisë konfesionale. Sipas tij, maqedonë të krishterë janë 1 032 232 banorë, maqedonë muslimanë 146 803 banorë; kurse shqiptarë muslimanë 115 710 banorë, shqiptarë orthodoksë 8 510 banorë; grekë muslimanë 14 373 banorë, grekë të krishterë 210 799 banorë dhe vllehë 77 267 banorë. Numri i turqëve, krahasuar me shqiptarët, është shumë më i madh duke mbrijtur shifrën prej 449 664 banorë (3) Informacionet e numrit të popullsisë për vitin 1913, të evidentuara e të publikuara nga M. Vujiçiq në vitin 1914, tek shumë autorë janë trajtuar si tendencioze dhe të dyshimta, ndaj dhe si të tilla vështirë se mund të gjenden në të dhënat burimore. Bile në literaturën shkencore maqedonase në kohën kur bën evidentimin e popullatës, mund të vërehet se maqedonasit nuk i pat pranuar si komb, sepse i përfshin si një popull me serbët.

2. Në mes dy luftërave botërore.- Në këtë periudhë kohore për herë të parë janë bërë dy regjistrime zyrëtare, në vitin 1921 dhe në vitin 1931. Në sajë të të dhënave burimore mund të shihet se në këto regjistrime përbërja e popullsisë nuk është e paraqitur sipas përkatësisë kombëtare, por sipas asaj konfesionale (fetare). Për regjistrimet në fjalë komente gjejmë në studimet e autorit M.Panov. Ky autor sipas ndonjë analogjie të tij, përbërjen kombëtare të Maqedonisë në vitin 1900 dhe 1921 na e paraqet në mënyrë tabelare.

Më poshtë po e paraqesim tabelën e tij ku mund të shihet struktura kombëtare e Maqedonisë në vitin 1900 dhe vetin 1921.

Tab. 1

Sipas analogjisë së paraqitur nga M.Panov, shihet se numri i shqiptarëve është dukshëm i reduktuar. Në grafën “të tjerë” ai i paraqet Serbët, Kroatët, Sllovenët, Malazezët dhe Jugosllavët, muslimanë dhe të papërcaktuar. Sipas tij, këta numërojnë një numër prej 6 000 banorë, ose 0.8% (4)

Për numrin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë në  regjistrimin e vitit 1921, në literaturën shkencore të dhënat janë mjaft kondraverze. Kështu, për shembull, në tabelën e autorit të përmendur, numri i shqiptarëve sillet në 111 000 banorë (më pakë se i turqëve që është rreth 119 000 banorë). Nga ana tjetër, A. Selmani (2004), duke iu referuar statistikës zyrëtare të Mbretërisë së SKS (publikim i vitit 1924), vë në dukje se në territorin e këtij vendi kanë banuar 136 752 shqiptarë. Për këtë popullatë akademik H.Islami, thotë se territorialisht më tepër ka qenë e koncentruar kryesisht në pjesën veriore dhe perëndimore të vendit, aty ku ekziston edhe sot. Sipas tij, në Tetovë me rrethinë kanë banuar 48 752, në të Shkupit 31 247, të Kumanovës 25 777,të Manastirit 19 587 dhe të Ohrit 11 265 banorë (5). Me të dhëna të ndryshme paraqiten edhe autorë të tjerë. Sidoqoftë, në këtë periudhë kohore kur regjistrimi bëhej sipas përkatësisë fetare, numri i shqiptarëve ka qenë lark realitetit. Kjo aq më tepër kur dihej faktsi se qarqet sunduese reakcionare të qeveris së atëhershme nuk kishin interes kombëtar që shqiptarët t’i tregojnë në numër të vërtetë. Shkohej aq lark sa thuhej se,  “njerëzit që e kanë mbajtur statistikën, falsifikimin e të dhënave e kanë konsideruar si mision të madh kombëtar” (6)

3. Pas Luftës së Dytë Botërore.- Këtë periudhë kohore do ta shqyrtojmë në dy etapa: e para, gjer në shpërbërjen e Jugosllavisë moniste, dhe, e dyta, pas formimit të Maqedonisë si shtet më vete.

Gjatë Jugosllavisë, e cila qe e përbërë prej gjashtë republikave dhe dy krahinave, regjistrimi i popullsisë kryhej sipas republikave, përkatësisht krahinave autonome. Në këtë periudhë kohore që pat zgjatur plot 46 vjet, janë mbajtur pesë regjistrime zyrëtare (1948, 1953, 1961, 1971 dhe 1981). Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, me mvetësimin e Maqedonisë së shtet më vete, janë mbajtur  tre regjistrime. Mirpo regjistrimin e parë të vitit 1991, siç është e njohur, për shkak të padrejtësirave që qenë bërë dhe aplikimit të një metodologjie jo të përsosur, shqiptarët e bojkotuan, ndaj në vititn 1994 duke përdorur metoda të reja të karakterit europjan, u mbajt tjetër regjistrim. Këto regjistrime në dallim të atyre të para LDB kur, siç përmendëm, regjistrimi bëhej vetëm sipas një elementi, ka qenë lark përdorimit praktik. Tani në të gjitha regjistrimet aplikohej një metodologji më e përsosur dhe gjithpërfshirëse. Mirpo, megjithatë, edhe në këtë kohë metodologjia për regjistrimin e shqiptarëve gati çdo herë ka qenë e manipuluar. Regjimi monist i udhëhequr nga politika diskriminuese dhe shoviniste serbe, kinse reziku i kërcënohet nga ritja e shpejtë biologjike e shqiptarëve, kurdoherë ka synuar që shqiptarët t’i paraqesë me një numër sa më të vogël.

Më poshtë tabelarisht po e paraqesim numrin e shqiptarëve krahasuar me atë të maqedonasve dhe me numrin e përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë në periudhën kohore 1948-2002.

Tab. 2 Lëvizja e numrit të popullsisë sipas
përkatësisë nacionale (1948-2002)

Burimi: M.Panov dhe A.Selmani, vepra të cituara

Nacionaliteti shqiptar në Republikën e Maqedonisë për kah numri vjen menjëherë pas atij maqedon, ndaj për krahasim e kimi marrë këtë të fundit si  më i numërt. Shqiptarët në periudhën kohore që e kemi në shqyrtim, nuk kanë treguar ndonjë  ritje permanente në vlera absolute apo relative, si kurse që ka treguar popullata më e numërt në vlera absolute. Kështu, për shembull, numri i shqiptarëve në regjstrimin e dytë të pas LDB, për shkak të rrethanave shoqërore e politike, zbret në 82.3% vlera indeksore, kurse ai i maqedonëve në këtë regjistrim shënon ritje absolute në indeks 109.0%. Ndërkaq, gjersa nacionaliteti maqedonas gjer në regjstrimin e fundit në vlera absolute shënon ritje permanente, ai shqiptar siç shihet, nuk ka rast të tillë. Mirpo, nga ana tjetër, nëse situata krahasohet me vlera relative, përkatësisht pjesëmarrja e tyre në numrin e përbashkët të këtyre dy nacionalitetebe në tërë periudhën kohore, atëheren do na paraqitet një pasqyrë tjetër. Në vlera të këtilla nacionaliteti maqedon,  në kuptimin negativ, tregon dryshime më të theksuara. Shqipptarët vetëm në dy regjistrimeve shënojnë zbritje, prej 20.0% në vitin 1948  në 15.9% në vitin 1953. Prej këtij regjistrimi të dytë nacionalitetet ndonjëherë kanë ritje e ndonjë herë zbritje, që në regjistrimin e fundit numri i shqiptarëve arin 28.2% në numrin e përgjithshëm të tyre, ose për 8.2% me tepër prej regjistrimit të parë . Maqedonasit në regjistrimin e fundit, krahasuar me atë të parin, shënojnë ritje prej  164.4% vlera indeksore. Mirpo shprehur në përqindje, ky nacionalitet në regjistrimin e fundit, krahasuar me atë të parin, zbret në 71.8% ose 8.2% më pakë. Shqiptarët shënojnë ritje për indeks 257.8%. Gjersa maqedonasit mesatarisht në vit kanë shënur një ritje prej 9413 banorë, ose 1.2%, shqpitarë kanë ritje prej 5772 banorë në vit ose 2.9%. Nga kjo shihet se popullata shqiptare ka një ritje më të dalluar se ajo maqedone.

Popullsia shqiptare, krahasuar edhe me atë të Maqedonisë, shënon një ritje relative të theksuar. Zvogëlim paraqitet vetëm në mes dy regjistrimeve të parë, pastaj ritja është e pandërprerë. Në regjistrimin e dytë një pjesë e shqiptarëve, me qëllim që të emigrojnë në Turqi (me dëshirë apo pa dëshirë), qenë deklarua si turqë, ndaj tani numri i tyre paraqet një zvogëlim mekanik. Prej 17.1% në vitin 1948 numri ritet në 25.2% (8.1% më tepër) në vitin 2002 në pjesëmarrjen e numrit të përgjithshëm të popullatës së vendit. Në nacionalitetit maqedon ritja relative ka kahje të kundërt, prej 68.5% në vitin 1948 zbret në 64.2% ose 4.3% më pakë krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullatës së vendit.

Shtrirja hapsinore e shqiptarëve

Territorialisht popullata shqiptare në Maqedoni është e ngulitur kryesisht në makrorajonin e Maqedonisë Perëndimore dhe në pjesën veriore të Povardarjes. Veç kësaj ane, shtrihet edhe në pjesën veriore të makrorajonit lindor të vendit.

Ndër zonat më të populluara në rradhë të parë vjen Tetova. Nëse kësaj i bashkangjiten të gjitha komunat për rreth të dala nga ky qytet, në vitin 2002 numri i shqiptarëve përbënte 72.25%, kurse maqedonët vetëm 18.41%. Edhe në vendet rurale gjendja është e njëjtë. Në priashtim të Jegunovcës ku maqedonët numerikitsht dominojnë, shqiptarët në vendet e tjera prap paraqesin shumicë, edhe atë 64.04%, kurse maqedonët përbëjnë 34.09% të popullsisë rurale. Në komunën rurale të Vratnicës, shqiptarët janë shumicë duke përbërë 61.23%. Në komunat e tjera rurale, pa dallim se në cilin rajon ndodhen, shqiptarët e përbëjnë shumëcën. Numri i shqiptarëve mbi 90% është i përfshirë edhe në shumë komuna të tjera rurale, siç janë ajo e Haraçinës, Veleshtës, Dellogozhdës, Xhepçishtës, Zhelinës, Bogovinës, Kamenjanit, Shipkovicës, Negotina e Pollogut, Osllomejit, Sërbinovës dhe Çegranit. Nga komunat e këtij karakteri vetëm ajo e Tearces përbën 84.39% të shqiptarëve.

Në qytetin  tjetër të Pollogut, Gostivarin, popullata e të cilit është multietnike, banojnë 49545 banorë. Popullata shqiptare edhe aty prap është shumicë. Këtu përbëjnë një vlerë relative prej 59.01%, maqedonët 26.54%, turqit 9.21%. Pjesa tjetër përbën një përqindje fare të vogël. Nëse Gostivari përfshihet bashkë me komunat e tjera për rreth, atëheren situata ndryshon. Tani shqiptarët marrin pjesë me 65.56%, kurse pjesëmarrja e maqedonëve zbret në 19.41%.

Në anën e Strugës, situata në përbërjen e popullatës urbane e rurale ndryshon. Tani vetëm në komunën  e Strugës që në vitin 2002 përfshinte gjithsej 36892 banorë, shqiptarët përbëjnë 41.54%, kurse maqedonët dalin më tepër duke përbërë 47.94%. Mirpo në zonat e komunave rurale të kësaj ane, situata e përbërjes etnike është në favor të shqiptarëve, gjë që është e natyrshme, nga fakti se gati të gjitha vendbanimet rurale aty janë të populluara më tepër me popullatë shqiptare. Kështu, për shembull, në komunën e Veleshtës, shqiptarët përbëjnë 98.97%, kurse maqedonët vetëm 0.2%; ajo e Dellogozhdës, shqiptarë ka 96.64%, numri i maqedonëve është minimal 0.04%. Po ashtu edhe në komunën e Llabunishtës, shqiptarët paraqesin shumicë duke përbërë 55.23%, ndërsa maqedonët aty tani janë me 12.86%.

Në anën e Kërçovës janë tre komuna, një urbane dhe dy rurale. Kërçova si komunë urbane është e populluar me 53.55% maqedonë dhe 30.53% shqiptarë, kurse përqindja tjetër iu takon pakicave të tjera. Nga ana tjetër, në komunën e Zajazit, si komunë rurale, shqiptarët përbëjnë 97.44%, kurse maqedonët vetëm 1.82%. Kështu është situata edhe me komunën tjetër rurale, Osllomejin. Edhe në këtë komunë shqiptarët marrin pjesë me 98.39%, ndërsa maqedonët vetëm me 1.06%.

Komuna e Dibrës gjithsej numëron 17952 banorë. Në këtë komunë shqiptarët marrin pjesë me 63.30%, kurse maqedonë me 13.86%. Numri i turqëve është përfshirë me 13.99%. Në këtë anë ekzistojnë edhe dy komuna të tjera të karakterit rural: Hanet e Mavrovës dhe ajo e Rostushës. E para përfshin një numër minimal të popullatës (984 banorë), ndaj dhe s’ka ndonjë rëndësi që ta cekim, kurse e dyta  numëron 9451 banorë ku shqiptarët marrin pjesë vetëm me 11.69%, maqedonët gjenden në vendin e parë me 55.11% dhe turqin vinë në vendin e dytë me 32.17%.

Në pjesën jugperëndimore të vendit, përkatësisht në anën e Manastirit janë regjistruar 86408 banorë. Këtu numri i shqiptarëve është mjaft i vogël. Në regjistrimin e vitit 2002  ata marrin pjesë me 2.92%. Në këtë situatë pat ardhur pas ndodhirave të vitit 2001 kur një numër i madh i shqiptarëve për shkak të dhunës së ushtruar, qenë të detyruar ta lëshojnë qytetin e Manastirit në të cilin jetonin për një kohë shumë të gjatë. Kësaj ane i takon edhe komuna e Resnjës. Aty në regjistrimni e fundit janë evidentuar gjithsej 16825 banorë, prej tyre maqedonët përbëjnë 76.07%, kurse shqiptarët vetëm 9.13%. Si turqë janë deklaruar 10.68%. Shqiptarët i ka edhe në pjesët e tjera të kësaj ane, si në Prilep me rrethinë. Pastaj i ka edhe në atë të Krushovës e Demir Hisarit, por me një pjesëmarrje mjaft të vogël.

Në fund po e përmendim edhe Shkupin si kryeqendër të vendit ku është i koncentruar një numër mjaft i madh i shqiptarëve. Në vetë qytetin e Shkupit janë regjistruar gjithse 71483 shqiptarë ose 15.29%. Kur Shkupi pat qenë si komunë para ndarjes administrative të vitit 1996, vetë qyteti përfshinte 23.15% shqiptarë. Sipas ndarjes administartive të fundit në komunat e qytetit të Shkupit, shqiptarët marrin pjesë me numër më të madh të popullatës në komunën e Çairit me 38.39%, në atë të Qndrës me 30.65%, të Gazi Babës me 17.31%, në atë të Shuto Orizare me 14.94%. Me numër më të vogël shqiptarët i ka në komunën e Gjorçe Petrovit 3.85%, Karposhit 3.26% dhe të Kisella Vodës 1.01%. Po ashtu është për t’u theksuar se nga 123 komuna aktuale (ndarja administrative e vitit 1996) vetëm në 39 prej tyre në regjistrimin e fundit nuk është evidentuar asnjë shqiptar.

Në pjesën verilindore të vendit, përkatësisht në veri të makrorajonit lindor, pesë komunat: Kumanova, Likova, Orasheci, Kleçova dhe Staro Nagoriçani, numërojnë 53650 shqiptarë ose 39.05%. Në komunën e Kumanovës, sipas ndarjes territoriale të vitit 1996, në regjistrimin e fundit janë regjistruar 103205 banorë. Në këtë numër shqiptarët marrin pjesë me 26.44%, kurse maqedonët me 59.59%. Përqindjen tjetër e përbëjnë pakicat e tjera kombëtare.

Nga çka u fol më lartë mund të shihet se popullata shqiptare ka një shtrirje të gjerë në Republikën e Maqedonisë. Ajo kryesisht është e ngulitur në pjesën perëndomre të vendit. Me numër më të madh shqiptarët i ka në pjesën veriare dhe veriperëndimore, duke përfshirë Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Kërçovën dhe Strugën (mbi 50%). Nuk duhet anashkaluar edhe rajoni i Povardarjes ku, vetëm në anën e Velesit ka 4742 shqiptarë (7).

Përfshirja e shqiptarëve

në proçesin e arsimimit

Popullata shqiptare e ngulitur në trojet e  përmendura në  Republikë e Maqedonisë, gjatë tërë histririsë së vet shekullore, në proçesin e arsimimit ka mbetur prapa krahasuar me popujt e tjerë. Kjo pat ardhur nga fakti se ky nacionalitet nuk e ka pasur fatin si nacionalitetet e tjerë të cilët edhepse kanë qenë të okupuar sikurse shqiptarët, kur ka ardhur koha janë çliruar dhe pastaj janë paraqitur si okupatorë të shqiptarëve. Këtij elementi relevant demografik për popullin e vet i patën dhënë rëndësi të dalluar, por jo edhe për popujt e tjerë, posaçërisht për shqiptarët. Ndaj populli shqiptar në këtë drejtim  gjer në kohët e vonshme asnjëherë nuk e pasur lirinë e plotë në procesin e arsimimit. Kështu, bie fjala, gjatë okupimit shumë shekullor osman kanë qenë plotësisht të eliminouar nga shkollimi në gjuhën amtare. Më vonë, edhe nën okupimin serb, shqiptarët kanë qenë krejtësisht të margjinalizuar. Okupatorit serbomadh nuk i shkonte për shtat që ky popull i lashtë të ketë një nivel të duhur arsimimi. Shumë të rradhë patën qenë ata që kryenin shkollim të lartë ose sipërror. Analfabetizmi, nga ana tjetër, pat qenë në nivel mjaft të lartë, posaçërisht në popullsinë rurale e cila e përbënte numrin më të madh të kësaj kategorie. Pas Luftës së Dytë Botërore, me formimin e Jugosllavisë komuniste  pretendohej se të gjitha kombet e kombësitë  i kanë të drejtat e barabarta të arsimohen, përfshirë edhe shqiptarët (de jure por jo edhe de facto). Në zhvillimin e përgjithshëm të vendit arsimi pat zenë vend të posaçëm,sepse,siç thotë një studiues, “arsimi është garancë për zhvillimin racional shoqëror-ekonomik, kulturor…”.

Në sistemin monist janë bërë shumë padrejtësira kur bëhej fjalë për arsimimin e shqiptarëve. Zakonisht vihej re, kur shqiptarët nuk ishin të interesuar për shkollim dyert e shkollave ishin të hapura, dhe, e kundërta, kur ata shprehnin dëshirë dyert ishin të mbyllura. Më së tepërti qëndrimi antishqiptar i arsimimit u paraqit haptas në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar kur shtetit, kinse i kërcënohej rreziku nga  “separatistët” dhe “teroristët” shqiptarë, dyert e shkollave filluan gradualisht të mbyllen. Qeveritarët ishin të mendimit se rreziku më i madh nga nacionalizmi shqiptar ekziston nëpër shkollat ku mësimi kryhej vetëm në gjuhën shqipe. Ndaj në këtë kohë filloi të paraqitet një strategji e re me prapavia të fshehta antishqiptare. Kërkohej që mësimi në shkollat e mesme të zhvillohet në paralele të përziera me ato maqedonase. Një pjesë e shkollave të mesme filluan të mbyllen, kurse nxënsit shqiptarë të mësonin vetëm në gjuhën maqedone.

Situata e këtillë filloi prej vitit 1982 dhe vazhdoi deri në vitet e nëntëdhjeta kur politika  qeveritare nga ana e sistemit pluralist qe cilësuar si nacionalizëm shtetëror, e cili mëtutje nuk pati dot mundësi  të realizohet.

Në vitet e nëntëdhjeta me mëvetësimin e Maqedonisë si shtet më vete dhe me paraqitjen e sistemit pluralist, situata e shqiptarëve në aspektin e arsimimit ndryshoi dukshëm. Tani filluan të hapen shkolla në gjuhën shqipe, numri i paraleleve filloi të rritet e kështu ngjajshëm.

Analizën e përfshirjes së nxënësve shqiptarë në procesin e arsimimit fillor dhe numrin e objekteve shkollorë të cilët kanë qenë në dispozicion, krahasuar me atë ku mësimi    kryhej  në gjuhën maqedone, do ta bëjmë pej vitit shkollor 1992/93, pastaj 1994/95 dhe 2000/2002. Në tabelën e paraqitur më poshtë (tab.3) është  paraqitur numri i shkollave, paraleleve, nxënësve dhe arsimtarëve në shkollimin fillor sipas bashkësive nacionale në vitet shkollorë 1992/93-2000/02 (8)

Tab.3 Shkollimi fillor

Të dhënat numerike të paraqitura në tabelë në shikim të parë tregojnë se komponentat e strukturës arsimore tek popullata maqedonase janë vazhdimisht duke u zvogëluar, kurse tek ajo shqiptare duke u rritur. Në dallime të këtilla vjen nga fakti se shtimi natyror i shqiptarëve është më i madh se maqedonasve, ndaj edhe numri i nxënësve është në rritje si dhe i objekteve shkollore dhe i kuadrit arsimor. Në vitin shkollor 1992/93 numri i shkollave të mësimit në gjuhën maqedone përbënte 74.3% nga numri i përgjithshëm i këtyre dy nacionaliteteve. Në vitin shkollor të 2000/02 zbret në 73.1%, që në vlera indeksore paraqet 94.5%. Zvogëlim ndodh edhe në vlera absolute. Tek shqiptarët zvogëlim i numrit të shkollave vërehet vetëm në vlera absolute, kurse në ato relative është e kundërta, prej 25.7% në vitin shkollor 1992/93 numri i shkollave rritet në 26.9%. Numri i paraleleve në gjuhën maqedone, si në vlera absolute edhe në vlera relative prej vitit shkollor 1992/93 gjer në atë të 2000/02 tregon zvogëlim. Tek popullata shqipare që të dyja vlerat shënojnë rritje. Numri i nxënësve në gjuhën maqedone në tre vitet shkollore të përmendur shënon zvogëlim. Kështu, për shembull, prej 183044 nxënës në vitin shkollor 1992/93 zbret në 164242 nxënës në vitin shkollor 2000/02, që në vlera indeksore paraqet 89.7%. Numri i nxënësve shqiptarë shënon rritje. Prej 69952 në vitin shkollor 1992/93 rritet në 75571 nxënës në vitin shkollor 2000/02 që është një vlerë indeksore prej 108.03% ( ose 8.03%). Numri  i arsimtarëve në gjuhën maqedone  shënon një rritje absolute minimale, kurse tek ajo shqiptare rritja është më e dalluar. Numri mesatar i nxënësve në paralele gjatë viteve shkollorë të përmendur më i ngjeshur është tek popullata shqiptare 25.9 nxënës, kurse  tek popullata maqedonase sillet 25.3 nxënës.

Shkollimi i mesëm si në Maqedoninë e Jugosllavisë moniste edhe në atë të sotmen, përkatësisht në shtetin e pavarur të Republikës së Maqedonisë nuk ka qenë i obligueshëm (gjer në vitin e fundit shkollor të cilin po e përmendim),. Përfshirja e nxënësve shqiptarë në këtë shkollim gjatë gjithë periudhës kohore ka qenë i ndryshëm. Ndonjëherë më tepër e ndonjëherë më pakë, varësisht prej rrethanave politike që ndodhënin në shoqërinë moniste e më vonë. Në vitin 1985 kur filloi akcioni famëkeq i diferencimeve politike, kur bëhej luftë e hapur kundër shqiptarëve “jo të ndershëm” (nuk përdorej më tepër nocioni “iredentizëm shqiptar” sepse kinse gabomisht qe kuptuar nga faktorët politikë e qeveritarë), për shkollimin e mesëm filluan të ndrryshojnë edhe rregullat ligjore. Në këtë kohë me  ndërrimin e  nenit për shkollim të mesëm lidhur me përdorimin e gjuhës amëtare, ndrryshuan shumë gjëra në dëm të shqiptarëve. Tani kërkohej që shkollimi i shqiptarëve dhe nacionaliteteve të zhvillohet në gjuhën maqedone. Si formë destruktive e faktorëve të arsimit, siç përmendëm më lartë, pat qenë fillimi i procesit të përzjerjes së paraleleve shqiptare me ato maqedonase në shkollat e mesme, dhe shumë akcioneve të tjera, si bie fjala, spastrimi i bibliotekave shkollore nga ato libra në gjuhën shqipe të cilat mund të ndikonin në “indoktrinimin” të nxënësve shqiptarë nga ideologji të huaja!. Spastrime të këtilla u bënë në bibliotekat e të gjitha niveleve të shkollimit në vend. Megjithatë, më vonë me formimin e Maqedonisë si shtet më vete, situata ndaj shqiptarëve ndryshoi. Tani në sistemin pluralist u hodhë poshtë të gjitha dukuritë negative lidhur me shkollimin e mesëm të nxënësve shqiptarë. U rrit numri i shkollave, krahas me të edhe përfshirja e nxënësve, gjë që solli edhe në rritjen e numrit të paraleleve e të arsimtarëve.

Më poshtë po e paraqesim tabelarisht përfshirjen e nxënësve në shkollimin e mesëm sipas bashkësive kombëtare në periudhën 1992/93-2000/02 (9)

Tab.4 Shkollimi i mesëm

Të dhënat e paraqitura në tabelë (tab.4) janë një indikator me rëndësi ku mund të shihet numri i objekteve shkollore, paraleleve, nxënësve dhe i arsimtarëve të të dy nacionaliteteve të përfshirë  në procesin e arsimimit të mesëm dhe hapësira e mundëshme për përfshirjen e mëtutjeshme të nacionalitetit shqiptar në këtë nivel të shkollimit. Rezultatet burimore të cilëve po u referohemi, tregojnë se numri i nxënësve në gjuhën maqedone prej vitit shkollor 1992/93 gjer në atë të vitit 2000/02 shënon një rritje vetëm prej 13.6%, kurse rritja e atyre në gjuhën shqipe është e pakrahasueshme, duke e arrijtur një përqindje prej 257.4%. Dallim kaq i madh ndodh edhe me rritjen e numrit të paraleleve. Në gjuhën maqedone ky numër rritet për 12.7%, kurse në atë në gjuhën shqipe për 268.5%. Në sajë të këtyre të dhënave qartë mund të shihet se për nxënësit shqiptarë edhe më tej ka hapsirë për përfshirjen e tyre në sistemin e shkollimit të mesëm në të gjitha drejtimet. Për këtë flet edhe fakti se numri i nxënësve në mësimin në gjuhën shqipe, krahasuar me atë në gjuhën maqedone, në vitin shkollor 2000/02 në numrin e përgjithshëm ka një përfshirje relative mjaft të vogël, vetëm 16.6%, kurse në gjuhën maqedone arrin numrin prej 83.4%. Po ashtu, këto të dhëna flasin se nga faktorët kompetentë të arsimit dhe faktorëve të tjerë qeveritarë ose politikë, nuk ka pasur ndonjë angazhim të duhur që në mësimin në gjuhën shqipe të përfshihet një numër më i madh nxënësve shqiptarë. Të mbetemi me shpresë se në të arthmen do të ketë një angazhim të dalluar, sepse në fuqi tani ka hyrë edhe ligji për shkollim të mesëm i cili i detyron të gjithë të rinjtë e moshës për të shkolluar të përfshihen në këtë shkallë të shkollimit.

Shënim: Punimi është përgatitur  me konsultim të literaturës shkencore dhe të dhënave të nxjera nga interneti.

Referenca:

1. A.Selmani: Popullsia e Maqedonisë, Shkup 2004.

2. M. Sokollovski: Osvrt na etniçkiot sostav na gradskoto i sellskoto naselenie vo Makedonija vo 15 i 16 vek, br.1, jubileen broj, INI, Skopje 1983, sipas A.S.

3. A.Selmani, vepër e cituar.

4. M.Panov: Geografija na SR Makedonija, Skopje 1976.

5. H. Islami: Popullsia e Kosovës, Studim demografik, Prishtinë 1980 .

6. Ibid.

7. Të dhëna numerike janë të nxjerra nga vepra e A.Semanit: Popullsia e Maqedonisë, vepër e cituar.

8. Ibid.

9. Ibid.

 
About these ads

Komente»

No comments yet — be the first.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: