jump to navigation

CUNAMET JANË KRIJESË E TËRMETEVE SUBMARINË QË KRIJOHEN NGA LËVIZJET E PLLAKAVE TEKTONIKE 21 Mars, 2011

Posted by Fejzula Abdulai in Shkencë.
trackback

CUNAMET JANË KRIJESË E TËRMETEVE
SUBMARINË QË KRIJOHEN NGA
LËVIZJET E PLLAKAVE TEKTONIKE

Tërmeti katastrofal në Indonezi në fillim të këtij shekulli, më saktë më 26 dhjetor të vitit 2004, me epiqendër në jugperëndim të ishullit Sumatra, në lindje të oqeanit Indian, qe një kataklizmë e vërtetë natyrore në sipërfaqen e rruzullit të planetit tonë. Me forcën e vet maramendase të tërmetit submarin (nëndetar) qenë  krijuar dallgë me përmasa gjigande të cilat popullata botërore ndoshta për herë të parë i ndëgjoi me emrin cuname (përveç popullatës japoneze), shkaktuan vdekjen e rreth dyqind e gjashtëdhjetë mijë njerëzve në Indonezi dhe në shtetet për rreth. Me këto dallgë shkatërruese u përfshi gati e tërë masa ujore e këtij oqeani. Kataklizma e këtillë nuk mbaroj aty, tani ajo për një afat shumë të shkurtër, prej pak më tepër se gjashtë vitesh, u paraqit në perëndim të Paqësorit, në Japoninë ishullore.

Tani parashtrohet pyetja: Ç’janë cunamet dhe prej cilëz gjuhe e kanë origjinën  (ky nocion në shkencë është i njohur qysh në shekullin e kaluar), cila është ajo fuqi dhe kush e shkakton atë, e cila është në gjendje ta vërë në lëvizje tërë masën ujore të oqeanit dhe të shkaktojë dëme maramendëse, si në rastin e fundit në Japoni? Këtyre dhe pyetjeve të tjera, do orvatem t’u jap përgjigje në shkrimin në vazhdim.

Ç’janë cuname-et

Cunam-et (tsunam) janë paraqitje të dallgëve në masën ujore të deteve ose oqeaneve me përmasa kolosale dhe dëmprurëse nga impakti i tyre në brigjet e kontinentit. Paraqiten në një distancë kohore të shkurtër menjëherë pas ndonjë goditje nëndetare (submarine) e cila shkakton tërmet të fuqishëm, ose prej ndonjë tjetër fuqie, rrëshqitje e ndonjë mase të madhe të tokës, ose brenda në oqean prej ndonjë shpërthimi (erupcioni) vullkanik. Në dallim prej dallgëve që i shkaktojnë erërat e fuqishme në oqean, këto tregojnë zhvendosje të një mase të madhe uji. Gjatësinë këto megacuname mund ta kenë mbi disa mijë km, kurse lartësinë gjer më 20 metra dhe shpejtësinë mbi 500 milja (mbi 800 km) në horë.

Nocioni Cunam (tsunam) është i përbërë prej dy fjalëve japoneze: tsu- port  dhe nam-dallgë e detit, që së bashku do të thotë tsunam- dallgë e portit të detit. Siç shihet prejardhjen e ka japoneze nga fakti se aty shkaktohen më tepër këto dallgë të kësaj natyre.

Fuqitë që shkaktojnë paraqitjen e cunameve

Që të shkaktohen dallgë me madhësi dhe forcë shkatërruese maramendëse (megacuname) duhet të ekzistojë ndonjë faktor, qoftë i brendshëm apo i jashtëm në Tokë, i cili do ketë mundësi të shkaktojë një fuqi aq të madhe e cila do të jetë në gjendje të zhvendosë një masë të madhe uji në oqean.

Studimet shkencore në këtë drejtim kanë qenë të shumëllojta, ndaj edhe me kalimin e kohës kanë lindur shumë hipoteza e teori të cilat kanë ardhur në një përfundim të përbashkët, se lëvizjet që paraqiten në korren e Tokës janë si pasojë e fuqive të brendshëme, nuk përjashtohet mundësia edhe e atyre të jashtëme. Edhe këto të fundit mund të krijojnë cuname, por, kuptohet, me përmasa më të vogla.

Për fuqitë e brendshëme që i shkaktojnë këto lëvizje, ekzistojnë dy hipopteza: Hipoteza e kontrakcionit dhe Hipoteza e ekspanzionit

Hipoteza e kontrakcionit.- Sipas kësaj hipoteze, Toka në fillim ka qenë e zjarrtë, dhe më vonë është ftohur gradualisht, duke u tkurrur. Sipas kësaj hipoteze, tkurrja e Tokës është shkaktare e të gjitha lëvizjeve tektonike (të përcjella me tërmete) dhe ndryshimeve që ndodhin në korren e saj. Ngase kjo hipotezë ka mjaft mangësi, numri i përkrahësve të saj në kohën e fundit është duke u zvogëluar, kurse në qarqet shkencore po e humbet rëndësinë.

Hipoteza e ekspansionit.- Numri i përkrahësve të kësaj hipoteze është vazhdimisht duke u rritur. Është konstatim se Toka zgjerohet për shkak të rritjes së temperaturës e cila vjen nga shkatërrimi i materjeve radioaktive. Sipas kësah hipoteze, në fillim Toka kishte vëllim shumë më të vogël dhe tërë sipërfaqja e saj mbulohej nga kontinentet e sotme. Në fakt, atëheren ekzistonte vetëm një parakontinent i quajtur Pangjea. Me kalimin e kohës, duke u zgjeruar Toka, ndokund në fillim të erës së mezozoikut, kjo paramasë kontinentale u nda në disa blloqe që largoheshin nga njëri-tjetri, dhe ndërmjet tyre qenë krijuar oqeanet.

Nga këto hipoteza, posaçërisht nga kjo e dyta, lindi edhe një tjetër hipotezë në fillim të shekullit të kaluar. Kjo u quajt Hipoteza e zhvendosjes së kontinenteve, themelues i së cilës qe meteorologu dhe gjeofizikani gjerman, Alfred Vegener. Këtë teori ai e paraqiti në librin e tij “Origjina e kontinenteve dhe oqeaneve” më1912.

Hipoteza e zhvendosjes së kontinenteve.- Para 200 miljonë vjet, nënvizon Vegener, Toka në filli pat qenë e mbuluar me një shtresë të hollë granitoide, e cila më vonë, për shkak të rrotullimit të saj prej perëndimi në lindje, të gjitha pjesët sipërfaqësore filluan të lëvizin në drejtim të kundërt, kurse prej fuqive qendërlarguese , që shkaktojnë shtypje nga polet në drejtim të ekuatorit, masa granitoide u mblodh në një vend, duke formuar kontinentin e vetëm-Pangjea. Mirpo më vonë, sipas kësaj hipoteze, në mezozoik e pastaj edhe në kenozoik, ky parakontinet  copotohet në disa pjesë duke krijuar kontinentet e sotëm. Vërejtja që i bëhet më vonë kësaj hipoteze është se, aty nuk jepet ndonjë sqarim konkret ku do mund të shihen forcat që e kanë shkatërruar këtë parakontinent. Nga epiroforeza e këtillë, në perëndim kontinenti i Amerikës Veriore dhe Jugore u shkëput nga Evropa e Afrika dhe në mes të tyre u krijua oqeani Atllantik. Në veri u nda Evropa e Azia. Në lindje e në jug të Afrikës  u nda Antarktiku, India e Australia duke marrë pozitat e sotme. Ndërmjet këtyre masave kontinentale u krijua oqeani Indian. Kjo hipotezë e Vegener-it mbështetet në përputhjen morfologjike të pjesëve më të mëdha të brigjeve të kontinenteve të sotëm. Pastaj në përbërjen e ngjajshme gjeologjike dhe në biodiverzitetin e zonave lindore të kontinentit të Amerikës me ato të Evropës Perëndimore dhe Afrikës.

Periudha Cretak-ut (1)

Në fund, në sajë të studimeve të reja gjeotektonike, në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, lindi Teoria e pllakave tektonike. Kjo teori e zëvendësoi këtë hipotezë.

Tektonika e pllakave

Tektonika e pllakave është teori gjeologjike e cila zëvendëson hipotezën e Vegener-it. Kjo sqaron zhvendosjen e pllakave të Tokës në përmasa të mëdha. Nga fuqitë e përmendura më lartë korrja e Tokës u coptua në disa pllaka të mëdha dhe disa të vogla. Këto pllaka, për shkak të përbërjes fluide të brendësis së Tokës  dhe ndikimit të fuqive të brendëshme, notojnë mbi astenosferë dhe lëvizin në drejtime të ndryshme. Në këto pllaka janë të vendosur kontinentet dhe oqeanet.

Është konstatuar se në korren e Tokës ekzistojnë shtatë pllaka të mëdha tektonike. Ato janë:

1.Pllaka e Afrikës,

2.Pllaka e Antarktikut,

3.Pllaka e Indo-Australisë. Ndonjëherë ndahet edhe në:

  • Pllakën e Indisë,
  • Pllakën e Australisë,

4.Pllaka e Euroazisë,

5.Pllaka e Amerikës Veriore,

6.Pllaka e Amerikës Jugore,

7.Pllaka e Paqësorit

Këto pllaka ndahen edhe në nënpllaka të vogla. Ja disa prej tyre:

·         Pllaka e Arabisë,

·         Pllaka Karibe,

·         Pllaka Juan de Fuca,

·         Pllaka Coco,

·         Pllaka Nazca,

·         Pllaka Filipine,

·         Pllaka e Scotis

Pllakat tektonike (2)

Është konstatim se pllakat nën ndikikin e fuqive të brendshëme, nën koren e Tokës lëvizin ngadalë me një shpejtësi prej 2 gjer më 20 cm në vit duke notuar në astenosferë. Ato ndeshen dhe bëjnë shtypje me njera tjetrën. Shtypjet janë gjigande, të cilat edhe masat më të forta  shkembore i bëjnë plastike, i rrudhosin,dhe në këtë mënyrë krijohen malet e rrudhosura, ose të reja me mijra kilometra të gjatë dhe mijra metra të larta. Në zonat e ndeshjeve të pllakave shkaktohen tërmetet, aty ndodhen edhe vullkanet aktivë. Në vitet e gjashtëdhjeta (1964) është konstatuar se vargmalet nënoqeanike  që shtrihen gjatë vijës së largimit të pllakave, janë zona të krijimit të kores së Tokës, kurse hullitë (hendeqet) e thella oqeanike, janë vende ku korrja e vjetër fundoset dhe zhduket në brendësinë e Tokës.

Drejtimet e lëvizjeve të pllakave tektonike (3)

Sipas kësaj teorie, mënyrat e lëvizjeve të pllakave ndahen në tre tipa:

1.Tipi transform (konzervativ)

2.Tipi divergjent (konstruktiv)

3.Tipi konvergjent(destruktiv)

1.Tipi transform (konzervativ).- Është lëvizje anësore e pllakave përgjatë shkarjeve horizontale pa ndërfutje (subdukcion) ose mbifutje (obdukcion). Gjatë kontaktit të tyre krijohen rrudhat dhe shkarjet vijore (lineare) pa ndonjë prodhim pozitiv ose negativ si në tipat e tjerë. Shtypja ritet në të dyja pllakat gjer në atë masë sa kalohet kufiri i deformimit të shkëmbinjëve, kurse energjia potenciale e akumuluar çlirohet me vetë deformimin e të dy anëve të shkarjes duke shkaktuar tërmete te fuqishme.

Shembull i këtij tipi të kufirit të pllakave tektonike, është shkarja  Shën Andrea, në perëndim të Kontinentit të Amerikës Veriore. Në këtë lokalitet bëhet zhvendosje e  pllakës së Paqësorit me atë të Amerikës Veriore. E para shkon në drejtim të veriperëndimit në raport me të dytën që gjendet  në lindje të saj. Shembull tjetër i këtij tipi është ai Alpin në Zelandën e Re, pastaj edhe ai i Anadollit verior, në Turqi.

2. Tipi divrgjent (konstruktiv).- Në rastin e këtillë pllakat tektonike largohen njëra prej tjetrës duke krijuar hapësirë e cila mbushet me material të ri që e ka prejardhjen nga magma.Tani aty krijohen kurrize mesoqeanike dhe hulli ose rift. Aty ekziston edhe fenomeni i ashtuquajtur pika të nxehta. Në këto vende paraqitet sasi e madhe e materialit të nxehtë të astenosferës. Aty supozohet se energjia kinetike është e mjaftueshme që të shkaktojë hapjen e pllakave. Shembull i këtillë mund të shihet në ishullin e Islandit.

Ndarja e dy pllakave tektonike (4)

Në fundin e oqeaneve këto paraqiten në formë të kreshteve ose kurrizeve (kreshti i  Atllantikut, ose të Paqësorit lindor), kurse në litosferën kontinentale është grabeni tektonik në rrafshënaltën e Afrikës lindore, i cili vazhdimisht është duke u zgjeruar. Ky tip i lëvizjes së pllakave, mundëson në krijimin e litosferës së re.

3. Tipi konvergjet (destruktiv).- Sipas këtij tipi,pllakat lëvizin drejt njëra-tjetrës. Ato ndeshen dhe njëra ndërfutet në tjetrën (subdukcion). Zakonisht ndodh që pllaka e oqeanit si më e rëndë të ndërfutet nën atë të kontinentit. Në brezin e ndeshjes së pllakave krijohen male të dhurosura nënoqeanike,(pastaj edhe sipërfaqësore), harqe ujdhesore dhe hulli ose hendeqe (rifte). Lëvizja e pllakave në këtë mënyrë shkakton shkatërrimin e litosferës së vjetër, ndaj edhe quhet tip destruktiv. Shembull për subdukcion të pllakave është zona përgjatë bregut perëndimor të Amerikës Jugore, në Japoni, në ishujt Aleute, në Alaskë, në oqeanin Indian, e në vende të tjera.

Ndërfutje (subdukcion) e një pllake tektonike në tjetër (5)

Kur njëra pllakë depërton nën tjetrën, prej temperaturës së lartë ajo fillon të tretet, përzihet me magmën e përcjellë me gazra, dhe pastaj, prej shtypjes së madhe i tërë ky material nëpërmjet çarjeve të pllakës së sipërme paraqitet në sipërfaqen e Tokës në formën e  vullkanit. Kështu janë krijuar Etna dhe Vezuf në Itali, pastaj edhe zonat bregdetare të Amerikës Jugore janë të përfshira me vullkane të këtillë. Madje, malet Kaskade në jug të Siera Nevada në Amerikën Veriore. Vullkane të këtj lloji i ka në tërë anët e Paqësorit, ndaj dhe quhet Brezi i zjarrtë i Paqësorit (Sipas disa studiusëve, paraqitja e vullkaneve në këtë mënyrë, akoma nuk është e qartë në qarqet shkencore gjeologjike).

Tipi i këtillë, në kontaktin e vetë pllakave i ka krijuar kurorat malore në rruzullin Tokësor. Kështu, për shembull, pllaka tektonike e Indisë, ndokund nga fundi i mezozoikut (në fillim të kretakut), duke lëvizur në drejtim të veriut, në mesin e tercierit, i ka krijuar Himalaet, kurse ajo e Paqësorit, po në këtë kohë, i ka krijuar Kordiljeret, në perëndim të kontinentit të Amerikës. Kështu ka ndodhur edhe me ato në kontinentet e tjerë.

Nga çka u fol më lartë, mund të shihet se cunamet janë dallgë me përmasa gjigande dhe katastrofale që paraqiten në masën ujore të deteve ose oqeaneve. Gjatësia e tyre mund të jetë disa mijë kilometra dhe lartësia mbi 10 metra. Shpjetësia është maramendëse- mbi 800 km në horë. Është konstatim se ato krijohen prej tërmeteve submarinë (nëndetarë). Kurse këta të fundit nga lëvizjet e pllakave tektonike në korren e Tokës. Lëvizjet e pllakave tektonike janë aq të fuqishme sa që janë në gjendje të shkaktojnë edhe ndryshime të mëdha në rruzullin tokësor. Prej lëvizjeve të tyre janë krijuar kurorat malore në pjesët anësore të kontinenteve, krahas me to edhe të vullkaneve.

Në Japoni:

Viti         Magnit.      Vendi i paraq.         Nr. i viktim.

1923         _                    Kantu                            142 000

1896       7.6               Sanrik                                26 300

1792       6.4               Kyushu                             15 030

1771       7.4              Ryukyu Trench              13 436

1707      8.4             Tokaido-Nank.                30 000

Gjithsej viktima:                                                226 766

Tërmeti i Japonisë, veç dëmeve të mëdha në njerës, shkaktoi edhe ndrryshime në sipërfaqen topografike. Shumë vendbanime u fshinë nga sipërfaqja e dheut, autostrada dhe vija hekurudhore u shkatërruan që tani janë jashtë përdorimit. Ishulli Honshu për disa metra u zhvendos më në lindje. Madje, nga fuqia e këtillë, boshti i Tokës për gati 20 centimetra u zhvendos nga pozita e vet. Shpejtësia e rrotacionit të Tokës u rrit, kurse si pasojë e kësaj, gjatësia e ditës u shkurtua për disa mikronë të sekondës.Vullkanet edhe tërmetet paraqiten në vendin e kontaktit të pllakave tektonike.Një proverbë japoneze thotë:“Aty ku ka tërmete ka edhe vullkane”. Ndeshjet e pllakave tektonike janë në afrësinë e kontinenteve, ndaj edhe aty i ka tërmetet dhe vullkanet. Dukuritë e këtilla do t’i ketë gjersa do të ekzistojnë lëvizjet e pllakave tektonike në korren e Tokës.

About these ads

Komente»

1. Damian - 24 Mars, 2011

Pershendetje. Ju pergezoj per blogun tuaj. Shkrime shume te bukura.

2. visatayler - 4 Prill, 2011

Informacioni shume i sakte edhe pse me disa gabime shkrimore.Interesante.

3. ylli2082 - 6 Prill, 2011

interesant…


Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: