jump to navigation

LIQENI I OHRIT 8 Mars, 2013

Posted by Fejzula Abdulai in Shkencë.
trackback

  

KARAKTERISTIKAT  NATYRORE- GJEOGRAFIKE TE LIQENIT

 Pozita e fushëgropës.- Fushëgropa e Ohrit shtrihet në jugperëndim të Republikës së Maqedonisë. Me ndarjen politike të vitit 1913, me pjesën më të vogël perëndimore i takon Republikës së Shqipërisë. Përfshin një sipërfaqe prej 1.370 km2. Është e rrethuar me male të reja të përbërë prej gëlqerorëve të mezozoikut. Në lindje shtrihet Galiçica (2 075 m) dhe Petrina (1 737 m), kurse në perëndim Mokra (1 522 m), Mali i Belicës (1 946 m) dhe Jabllanica (2 259 m). Në veri lartësohet mali Stogovo me krahun Karaorman. Kreshti Koparnik afrohet gjer në bregun verior të liqenit. Nëpërmjet luginës së Sateskës fushëgropa e Ohrit lidhet me zhupën e Debarcës, kurse nëpërmjet sateskës së Drinit të Zi me fushëgropën e Dibrës.Në pjesën jugore shtrihet hapësira bregore e ulët e cila gradualisht lëshohet në luginën e lumit Çeravë, kurse në perëndim në fushën e Starovës.

Krijimi i fushëgropës.- Fushëgropa e Ohrit ka origjinë tektonike, njësoj sikurse shumë fushëgropa të tjera në Maqedoni, të cilat në të kaluarën gjeologjike kaqë qena të liqenizuara. Sot si relikte të tyre janë i Ohrit i Prespës  dhe Liqeni i Dojranit. Dy të parët i takojnë pellgut të Adriatikut, kurse ky i fundit i takon pellgut të Egjeut.

Fushëgropa është krijuar me lëshimin vertikal të tokës ndërmjet dy shkarjeve paralele. Njëra prej tyre dallohet mirë në konfiguracionin e terenit në shpatet perëndimorë të Galiçicës, kurse tjetra në anën lindore të Mokrës  dhe Malit të Belicës. Pjesën jugore të fushëgropës e kufizon një shkarje e vohël tektonike në drejtim verilindje-jugperëndim. Fillimin e ka prej fshatit Lubanishtë, vazhdon pranë manastirit Shën Naum dhe mbaron në Pogradec. Disa studiues janë të mendimit se shkarje të këtilla në jug të basenit  i ka edhe në bazamentin e liqenit.

Liqeni i Ohrit nuk është më i vjetër se liqenet e tjerë në Ballkan

Thuhet se Liqeni i Ohrit me vjetërsinë e vet mund të krahasohet me atë të Bajkalit në Azinë qendrore, ose me atë të Tanganjikës në Afrikën lindore. Mirpo me studimet shkencore të bëra për një kohë të gjatë në këtë rajon, konstatohet se ky liqen është më i ri, i krijuar në kohën kur krijohen edhe liqenet e tjerë në Ballkan, si bie fjala Liqeni i Prespës apo ai i Dojranit.

Për kohën e krijimit të fushëgropës, përkatësisht basenit të Liqenit të Ohrit ekzistojnë  mendime të ndryshme. Në vazhdim do të japim disa prej tyre:

A.J. Bourcart (1923), gjeolog frances, i cili gjatë Luftës së Parë Botërore e pat vizituar Shqipërinë, është i mednimit se baseni i liqenit mund të jetë krijuar në fillim të pliocenit nga lëvizjet vertikale tektonike. Sipas këtij autori fundosja e basenit të Liqenit të Ohrit vazhdon edhe në ditë e sotme. Posaçërisht kjo mund të vërehet në pjesën perëndimore, të cilën e dëshmojnë edhe lëvizjet e shpeshta sizmike. Me këtë Bourcart, vë në dukje se jeta e liqenit është duke u përsëritur. Gjatë pliocenit, konstaton ky studiues, Liqeni i Ohrit pat qenë në lidhje të drejtëpdrejtë me atë të Korçë-Bilishtit në jug, kurse bazamenti i vjetër i këtij të fundit sërish qe ngritur në lartësi absolute prej 980 m. Madje të gjithë liqenet e dasaretit kanë qenë në lidhje dhe komunikim me njëri tjetrin, përfundon Bourcart.

V. Laskarev në sajë të shtrirjes së konglomerateve të miocenit dhe zhavoreve në formë të një brezi përgjatë bregut perëndimor të liqenit dhe në bazë të faktit se këto janë të coptuara me shkarjen tektonike të basenit, pat ardhur në përfundim se baseni i liqenit është më i ri se konglomeratet dhe zhavoret e përmendur.

Kossmat   pat bërë hulumtime në këtë rajon gjatë Luftës së Parë Botërore. Ai konstaton se baseni i Liqenit të Ohrit e ka moshën e re dhe  mund të jetë krijuar në fund të tercierit (tretësorit) ose në fillim të Kuarterit (katërsorit), përkatësisht në kohën kur mund të jenë krijuar basenet e Liqenit të Prespës dhe atij të Korçë-Bilishtit. Ky studiues vjen në përfundim se basenet e liqeneve të dasaretit janë të moshës së re.

D. Jaranov krijimin e Liqenit të Ohrit e krahason me grabenin e Drinit të Zi dhe është i mendimit se mund të jetë krijuar në fund të pliocenit. Sipas këtij autori, baseni i liqenit mund të jetë krijuar dy herë, një herë në mes të pliocenit dhe pastaj të jetë përsëritur në fund të kësaj epoke.

T. Ivanovski në sajë të formave strukturale të Galiçicës si dhe në format strukturale të Jabllanicës, është i mendimit se në vendin e  depresionit të Liqenit të Ohrit dhe Fushës së Strugës, gjatë rrudhjes kimbrike është krijuar antiklinorium. Boshti i kësaj rrudhje ka pasur drejtim vvp-jjl dhe pat kaluar përgjatë basenit të Ohër-Strugës. Sipas tij, mali i Galiçicës paraqet krahun lindor të këtij antiklinoriumi që pastaj kalon në sinklinorium, kurse Jabllanica krahun perëndimor. Sipas këtij studiuesi, boshtet e anti dhe sinklinoriumeve sekundare kanë drejtim v-j dhe vp-jl. Ky është një drejtim që përputhet me boshtin kryesor të antiklinoriumit. Nga lëvizjet tangenciale, konstaton Ivanovski, aty mund të vërehen edhe shumë forma plikative. Këto mund të jenë krijuar edhe prej lëvizjeve radiale. Madje, vë në dukje ky autor, pas fazave orogjene të vjetra kimbrike, aty patën ndikuar vetëm lëvizjet vertikale të cilat në lindje të Jabllanicës patën krijuar grabenin e Drinit të Zi  përfshirë edhe basenin e Liqenit të Ohrit në jug. Kubja e këtij antiklinoriumi pat fundosur përgjatë dy shkarjeve tektonike  në drejtim meridional që kalojnë në lindje dhe perëndim të liqenit, konstaton Ivanovski.

J. Mihajlloviq ky studiues në sajë të strukturës tektonike jep sqarime për aktivitetin sizmik të rajonit të Ohrit. Është i mendimit se vijat sizmike zakonisht mund të përcaktohen  nga ndijshmëria e dridhjeve të tokës përreth Liqenit të Ohrit. Në periferi si dhe në bredësi të basenit ai pat caktuar katër drejtime(vija) me karakter sizmogjen. Këto janë:

         1. Tashmarunishte – Lin – Starovë;

         2. Ohër – Radozhdë;

         3. Ohër – Peshtan – Sh.Naum – Fushëgropa e Korçës dhe

         4. Sh.Naum – Starovë – Kalimaç.

Pjesa veriore e vijës së parë shtrihet përgjatë shkarjes tektonike ndërmjet gëlqerorëve triasikë dhe shtresave karbonike prej Tashmarunishte dhe gjer në afërsi të Lim-it. Në pjesën jugore përgjatë bregut liqenor vazhdon në periferi të masivit serpentin-peridotit.

Vija e dytë përgjatë shtresave deluviale-aluviale dhe gëlqerorëve triasikë e pret  majën veriore të liqenit prej Radozhde gjer në Ohër.

Vija e tretë përputhet me periferinë lindore të liqenit. Shtrihet pranë reshpeve karbonikë dhe gëlqerorëve triasikë, vazhdon nëpër shtresat diluviale në perëndim të Sh.Naumit dhe pastaj, ndërmjet gëlqerorëve të neogjenit e të kretakut, zbret në Fushëgropën e Korçës, e cila është e mbushur me shtresa diluviale e aluviale.

Vija e katërt ndahet prej të tretës në basenin diluvial në jug të Sh. Naumit dhe vazhdon nëpër periferinë jugore të liqenit pranë Sh.Naumit e Starovës në perëndim, gjer në Kalimaç.

Nga kjo që u fol më lartë mund të shihet se në dy shkarje të mëdha me material eruptiv të serpentinit dhe peridotitit i prekin pjesët jugore të bregut të Liqenit të Ohrit në Pogradec e Starovë dhe ndërmjet tyre e mbyllin grabenin e madh tektonik i mbushur me sedimente të neogjenit.

Sipas Mihajlloviq-it nënshtrimi i Fushëgropës së Ohret me dridhje sizmike është përshakak të afërsisë së grabenit tektonik të Prespës dhe Elbasanit me horste dhe shkëmbinj eruptivë me vjetërsi më të re të dislocuar përgjatë shtresave të neogjenit. Ky autor prej 16 blloqeve sizmike si më aktivë në Fushëgropën e Ohrit i ndan katër: III, V, VI dhe VII.

Fushëgropa e Ohrit me ujë qe mbushr gjer në lartësinë prej 960 metra. Në këtë fazë Liqeni i Ohrit pat hyrë në zhupën e Debarcës, kurse në jug ka patur lidhjer me Liqenin e Korçë-Bilishtit. Më vonë faktorët tektonikë dhe klimatikë kanë ndikuar që liqeni të zbresë në nivelin e sotëm prej 695 m lartësi absolute.

Fazat liqenore në Maqedoni në të cilat përfshihet krijimi i Liqenit të Ohrit

 Në territorin e Maqedonisë gjatë tërë epokës së oligocenit, më vonë në miocen, krijohen shumë liqene me ujë të ëmbël dhe braktikë (gjysëm të kripur). Shumë autorë dallojnë tre faza liqenore në hapësirën ballkanike: faza e oligocenit, miopliocenit dhe pliocenit të sipërm. Dy fazat e para më të vjetra ( e oligocenit dhe miopliocenit) karakterizohen me një numër të madh të liqeneve, sidomos e dyta në territorin e Maqedonisë. Kjo fazë e pat përfshirë më së tepërmi zonën e Vardarit. Në këtë kohë krijohet baseni liqenor i Shkupit, pastaj në veri i Metohisë, i Kosovës e shumë të tjerë. Për Liqenin e Ohrit me rëndësi është faza e tretë pliocene, përfshirë aty edhe atë të diluviumit. Këtë fazë më së tepërmi e pat studiuar J. Cvijiq-i. Sipas tij aktiviteti tektonik vertikal në hapësirën ballkanike, përkatësisht  në atë të  Maqedonisë, pat filluar qysh në tercier (tretësor) dhe si rjedhojë e saj, përgjatë shkarjeve tektonike krijohen shumë grabene të cilët pastaj mbushen me ujë dhe shndërohen në liqen. Liqeni i Ohrit sipa tij, krijohet në fillim të pliocenit (epoka e fundit e tercierit). Në këtë kohë ky i fundit pat qenë në lidhje të drejtpërdrejtë me atë të Korçë-Bilishtit dhe të Prespës, të cilët me një emër janë quajtur Liqene të Dasaret-it. Më vonë duke u larguar uji, numri më i madh i liqeneve u zvogëlua, kurse tek Liqenet e Dasaret-it lidhja ndërmjet tyre ndërpritet. Teza e Cvijiq-it mbi vjetërsinë e Liqenit të Ohrit ka mbështetje edhe në studimet biologjike të bëra në botën e gjallë të liqenit. S. Stankoviq, në sajë të studimeve të kryera shumëvjeçare në këtë liqen, pat ardhur në përfundim se shumë lloje të ihtiofaunës së liqenit dhe disa lloje të bimëve, janë me vjetërsi të tercierit, ndaj tezat e disa autorëve se baseni i liqenit është krijuar në fillim të pleistocenit (diluviumit) janë të papranueshme.

Parashtrohet pyetja: Si ëshë larguar pjesa më e madhe e ujit të këtij liqeni dhe liqeneve të tjerë në hapësirën e Maqedonisë e më gjerë? Shkaqet për shterimin e shumë liqeneve dhe largimin e një sasie uji nga liqenet ekzistuese, akoma në shkencë janë të paqarta. Megjithatë ato mund të kenë ndodhur nga dy faktorë. Faktorin e parë e përbëjnë ndryshimet klimatike që ndodhë në periudhën e akullit (diluvium), kur klima filloi të jetë më e ftohte dhe më e thatë; kurse faktorin e dytë e përbëjnë lëvizjet tektonike që suall në krijimin e pjesës veriore të detit Egje në hapësirën e tokës së vjetër të quajtur “Egjeida”. Me fundosjen vertikale të tokës erdhi edhe në lëshimin vertikal të erozionit bazor të poshtëm. Me këtë u mundësua që nëpërmjet të erozionit regresiv dhe vertikal të hapet rruga e largimit të ujit nga liqenet e vjetër.  Për largimin e ujit të Liqenit të pliocenit të Ohrit që ka qenë në lidhje me atë të Prespës e të Korçë-Bilishtit, ekzistojnë dy teza. Sipast të parës uji është largruar nëpërmjet luginës së Devollit dhe ka shkuar në detin Adriatik, kurse sipas të dytës nëpërmjet të Drinit të Zi ka shkuar në detin Adriatik. Se cila tezë do të jetë më e saktë, do të tregojnë studimet e ardhëshme shkencore që duhet të bëhen në këtë hapësirë.

Karakteristikat morfometrike të liqenit

 Baseni i liqenit ka formë e rrethit të zgjatur. Gjatësia më e madhe prej 31 km është në drejtim veri-jug, prej Struge gjer në manastirin Shën Naum, kurse gjerësia më e madhe në drejtim lindje-perëndim, prej fshatit Peshtan në lindje gjer në fshatin Piskupat në perëndim në territorin shqiptar është 14,5 km. Raporti i gjatësisë ndaj gjerësisë është 2,009 : 1. Gjatësia e përgjithshme e vijës bregore të liqenit është 86,1 km. Bregu i pjerët ka gjatësi 63,1 km kurse ai i ulët 23 km. Në territorin e Maqedonisë është 50,4 km, kurse në atë të Shqipërisë 35,7 km.

Liqeni shtrihet në lartësi absolute prej 695 m. Thellësinë mesatare e ka 144,80 metra, kurse maksimalen 287 m. Përfshin një sipërfaqe prej 348 km2 , prej së cilës dy të tretat (229,9 km2 ) i takojnë Republikës së Maqedonisë, kurse një e treta (118,9 km2) Republikës së Shqipërisë.  Me këtë sipërfaqe liqeni bën pjesë në liqenet e mëdha në Evropë, siç janë Liqeni i Zhenevës, Bodenit, Garda e Maxhore. Në juglindje të Evropës me madhësi vjen në vendin e dytë pas Liqenit të Shkodrës (379 gjer më 586 km2), kurse me thellësinë vjen në vendin e parë. Liqeni përbën një rezervar të madh ujor. Masa e përgjithshme ujore është 5.033 km3. Sipërfaqja e pellgut të liqenit është rreth 680 km2 , që është një sipërfaqe e vogël në krahasim me madhësinë e sipërfaqes së liqenit. Ky është edhe një ndër shkaqet që liqeni ka numrin e pakët të ujrave sipërfaqësorë.

Krijimi i relievit litoral të liqenit

Në krijimin e relievit litoral të liqenit kanë ndikuar shumë faktorë, ndaj mund të thuhet se Liqeni i Ohrit ka një reliev litoral me origjinë poligjene. Prej faktorëve morfogjenë në modelimin e plastikës litorale, në radhë të parë janë ato tektonikë, pastaj abrazivë, limnosedimentues dhe potamogjenë.

Faktorët tektonikë në krijimin e këtij relievi janë mjaft të rëndësishëm. Tektonika vertikale jo vetëm që kushtëzoj krijimin e basenit të liqenit, por e përcaktoi pozitën, formën dhe thellësinë e tij. Ajo është një faktor morfologjik mjaft me rëndësi në modelimin e një pjese të madhe të  relievit bregor të liqenit. Shkarjet tektonike përputhen me vijën bregore të liqenit. Më të dalluara janë në bregun lindor dhe atë perëndimor.

Në akuatorinë e gjerë të liqenit nuk janë me vlerë të pakët as proceset hidromekanike në krijimin e mezo dhe mikro relievit litoral. Këto procese kanë ndikim të fortë në modelimin e bregut liqenor. Abrazioni si proces hidromekanik është i dalluar tepër në bregun lindor e perëndimor të liqenit. Sipas Ç. Stojadinoviq-it, lidhur me abrazionin F.Goebel thotë: “Edhe pse në shikim të parë duket se i tërë bregu liqenor është i orientuar në drejtimin kryesor V-J, përsëri fotografia tektonike sipas studimeve të detajuara është më e komplikuar”.

Për vijën bregore të Liqenit të Ohrit nuk mund të thuhet se është me një përthyerje të dalluar. Në pjesën lindore e perëndimore ku shpatet malore lëshohen gati në vetë liqenin, ekzistojnë disa forma bregore karakteristike. Më të dalluara janë: katër gadishuj, katër gjire dhe dy kthesa harkore.

Gadishujt (brigjet e larta)

Gadishulli  Trepet  është formë morfologjike bregore më e dalluar. Gjendet në pjesën perëndimore të liqenit, në territorin shqiptar. Përfshin një sipërfaqe prej 2,92 km2 . Përbërjen gjeologjike e ka prej një gëlqerori me vjetërsi të mezozoikut. Brigjet i ka të drejtë, kurse klifet arrijnë një lartësi gjer në 30 metra.

Gadishulli Yçakala përbën një kupë gëlqerore në perëndim të Ohrit. Ndikimi i forcës abrazive aty ka krijuar disa foleza dhe rrëpira të pjerëta  në lartësi prej 20-30 metra. Në lartësitë e këtij gadishulli është vendsur kështjella e Samoilit.

Dy gadishujt e tjerë, Gorica ndërmjet Ohrit dhe Sh. Stefanit dhe Gradishte ndërmjet fshatrave Peshtani dhe Tërpejcës, janë mjaft të vegjël, kurse përbërjen gjeologjike, poashtu e kanë gëlqerore.

Në përthyerjen horizontale të bregut liqenor bëjnë pjesë edhe kepet. Më të dalluar janë vetëm katër syresh. Në gadishullin Trepet i ka dy, njëri ka formë të zgjatur i drejtuar në verilindje, kurse tjetri gjendet nën kuotën 782 m. Pjesa jugperëndimore e gadishullit Yçkala mbaron me kepin të quajtur Labino. Klifi këtu mbrin lartësi prej 10 metra. Kepi i katërt i quajtur Rotina nga fshati Tërpejcë është lark vetëm 1 km dhe gjendet nën kuotën 782 metra.

Ishujt të cilët mund t’i ketë si në liqenet e tjerë, këtu nuk i ka në kuptimin e plotë të tyre. Aty ka vetëm disa blloqe gurësh të mëdhenj në brendinë e liqenit. Më të dalluar janë dy: Stog në veri të fshatit Tërpejca dhe Pllavoshnik në veri të kepit Rotina.

Gjiret janë forma të përthyerjes horizontale të radhës së parë. Edhe pse liqeni e ka formën e rrethit të zagjatur, përsëri aty dallohen tre gjire me formë gjysmëharkore. Ato janë: Gjiri i Lubanishtës, Gjiri i Ohrit dhe Gjiri i Linit në territorin shqiptar.

Gjiri i Lubanishtës është më i madh prej atij të Ohrit. Ka një sipërfaqe prej 2,61 km2. Është krijuar me kthimin e drejtimit të shkarjes tektonike prej drejtimit V-J në drejtim VL-JP.

Gjiri i Ohrit përfshin një sipërfaqe prej 2,45 km2 . Është krijuar me tërheqjen regresive të liqenit prej fushës së gjerë në lindje të Ohrit. Formën recente e ka marë me zbritjen e nivelit të liqenit të diluviumit. Në mungesë të të dhënave për Gjirin e Linit në territorin shqiptar,nuk do bëhet fjalë.

Brigjet e ulëta

Brigjet e ulëta të rrafshta të Liqenit të Ohrit, sipas cilësive morfologjike janë dyllojësh: plazha dhe laguna me kordone litorale. Këto të fundit paraqesin ndarje ndërmjet hapësirës liqenore dhe lagunave. Plazhet ose, siç quhen ndryshe, “zhallo”, janë të krijuara prej sedimenteve rërore në veri e në jug të liqenit. Në këto anë të liqenit këto nuk janë si rezultat i stadit të fundit të proceseve abrazive, nënvizon një studiues, por janë të krijuar në fundin e gjireve të mëparshëm prej të cilëve liqeni është tërhequr në vijën bregore recente. Tip i këtillë bregor në veri  shtrihet prej fshatit Kalishtë gjer në fshatit Podmolje, kurse në jug prej manastirit Sh. Naum gjer në Pogradec në territorin shqiptar.

Në krijimin e brigjeve të rrafshta e të ulëta të papërthyer rolin kryesor e kanë: oshilimi i nivelit të liqenit, erërat dhe përbërja e bazamentit të zonës anësore. Agjentë morfologjikë me rëndësi në krijimin e vijës bregore dhe formave mikrorelievore janë erërat “Veriu” dhe “Juga”. Lartësia e kordoneve litorale varet prej fuqisë së erës dhe lartësisë së valëve të liqenit. Duhet theksuar se në ndryshimin e relievit litoral ndikim ka edhe faktori antropogjen. Kështu, për shembull, njeriu duke pasur nevojë për rërë në ndërtimtari, ka ndikuar në disa vende të bregut liqenor t’i zhdukë kordonet litorale. Plazhet i ka edhe në pjesën lindore të liqenit, por me përmasa më të vogla.

Tip tjetër i formave mikrorelievore të brigjeve të ulëta paraqesin lagunat.  Në gjenezën e relievit litoral kanë një rëndësi të veçantë. Paraqesin sipërfaqe amfibike të cilat vijës bregore dhe përthyerjes horizontale u japin cilësi jostabile. Madje, lagunat janë pjesët më të largëta të gjireve të dikurshëm të liqenit. Me lëshimin sukcesiv të nivelit të Liqenit të Ohrit gati për 5 metra vertikalisht, këto mikrodepresione të gjireve të cektë  qenë shndëruar në barishtina ose kallamishte pranë bregut liqenor. Lagunat në Liqenin e Ohrit më tepër i ka në pjesën veriore. Më e dalluar është  e ashtuquajtura “Bllato e Kalishtës”. Sipërfaqen e ka 2,5 km2. Pika më e ulët në bazamentin e saj është 693,64 m. Kordoni që e ndan nga hapësira liqenore është në lartësi prej 693,89 m. Shikuar në pikpamje paralometrike, brigjet e ulëta me lagunat, në Liqenin e Ohrit paraqesin tip bregor të pazhvilluar.

Si forma morfologjike bregliqenore në Liqenin e Ohrit janë edhe deltat. Në liqen derdhen dy lumenj me rëndësi që kanë krijuar deltat e tyre: Lumi i Koselit (Daljan) në territorin maqedonas dhe Çerava në atë shqiptar. Delta e Çeravës është e përbërë prej rëre serpentini dhe gurishteve kokër mëdha dhe mirë të rumbullksuara. Delta e Lumit të Koselit është e përbërë prej sedimenteve rërore limnike.

Format sublakustrike të liqenit

Këto forma në Liqenin e Ohrit janë studijuar qysh në fund të shekullit XIX.  Me përpunimin e një harte të detajuar për cilësitë morfologjike e hidrografike të liqenit, aty janë konstatuar tre forma sublakustrike: terraca sublakustrike, rrëpira tektonike (pjertësira) sublakustrike dhe rrafshi qendror.

Terraca sublakustrike në liqen shtrihet prej bregut gjer  në thellësi prej 5-10 metra. Thellësia më e madhe e kësaj terrace prej 10 metra është në afërsi të manastirit Sh. Naum. Gjerësia është e ndryshme. Përgjatë bregut lindor është më e ngushtë se në anën perëndimore. Kurse në bregun verior e jugor hyn thellë në liqen. Më e ngushtë është afër kishës Sh. Zaum, vetëm 5 metra. Në perëndim gjerësinë e ka 300 metra. Në veri e në jug, ku gjerësia është më e madhe, arrin 800-1000 metra. Kjo terracë sublakustrike përfshin një sipërfaqe prej 35 km2 që është 10% nga sipërfaqja e liqenit. Në pjesën lindore, ku ndikimi i abrazionit është më i dalluar, terraca është e mbuluar me çakaj gëlqerorë të rrumbullaksuar, kurse në perëndim me gurë të vegjël plloçakë. Në anët e tjera të liqenit ku derdhen lumenjtë, terraca është e mbuluar me material lumor dhe me rërë të imtë. Kjo terracë në Liqenin e Ohrit ka një rëndësi të madhe ekonomike. Aty kryhet gjuetia më e madhe peshqeve.

Në Liqenin e Ohrit ka dy rrëpira tektonike. Shtrihen në thellësi prej 5-200 metra (495 m. l. absolute). Rrëpira e parë me pjertësi më të dobët është më afër bregut (lartësi 20-40 metra). Përfshin 45,68 % të sipërfaqes së liqenit, ose një sipërfaqe prej 159 km2 . E dyta është më e pjertë dhe përfshin një sipërfaqe prej 58 km2 ose 16,67% të sipërfaqes së liqenit.

Rrafshi qendror shtrihet në në thellësi prej 200-250 metra ose në lartësi absolute prej 405 metra. Përfshin një sipërfaqe prej 96 km2 ose 27,60% të sipërfaqes së përgjithshme të liqenit. Ky rrafsh më tepër afrohet vijës bregore në pjesën lindore të liqenit, kurse në pjesën perëndimore arrin afër gadishullit Trepet. Në pjesën veriore dhe jugore rrafshi qendror shtrihet në një largësi të madhe. Në veri gjer më 6.500 metra ndërsa në jug 3.500 metra largësi. Prej formave të tjera në rrafshin qendror i ka edhe disa vorbula. Dy prej tyre janë në pjesën lindore, ajo e Peshtanit dhe e Tërpejcës. Madje ka edhe disa të vogla në pjesën perëndimore. Këto thellësira në fundin e liqenit janë krijuar para se të mbushet baseni me ujë.

Karakteristikat hidrografike të liqenit

Pellgu ujëmbledhës dhe akuatoria e tij bashkë me pellgun e Drinit të Zi dhe me atë të Liqenit të Prespës përfshijnë një sipërfaqe prej 4.370 km2. Nga kjo sipërfaqe, pellgut të Liqenit të Ohrit bashkë me atë të Drnit të Zi i takojnë 3.010 km2(vetëm fushëgropës ku është i pozocionuar liqeni i takojnë 680 km2).

  1. Masa ujore e liqenit dhe furnizimi me ujë

Liqeni i Ohrit, siç u përmend më lartë, ka një masë ujore prej 5.053 km3 ujë. Me ujë furni- zohet prej një numri të madh burimesh sublakustrike dhe sipërfaqësorë. Madje prej disa lumenjëve dhe reshjeve atmosferike në formë të shiut apo të dëborës. Në liqen derdhen dy lumenj të vegjël: Lumi i Koselit dhe Çeravës. Prej liqenit buron Drini i Zi, i cili një sasi të madhe të ujit liqenor e dredh në detin Adriatik.

Fushëgropa e Ohrit e pozicionuar në mes maleve me përbërje karstike, ka edhe hidrografi karstike. Krahasuar me Liqenin e Prespës, ajo është për 158 metra më e ulët. Duke qenë edhe ana lindore, përkatësisht edhe fushëgropa e Prespës me përbërje karstike, mund të thuhet se nëpërmjet kanaleve nëntokësore ujrat e Liqenit të Prespës derdhen në këtë liqen. Nga plasaritjet e Galiçicës  buron një numër i konsiderueshëm burimesh të cilët derdhen në Liqenin e Ohrit. Në pjesën jugore të liqenit i ka rreth 80 burimesh. Rreth manastirit Sh. Naum i ka 6 burime (vrello) kryesorë, të cilat japin 30-40 m3  ujë në sekondë, me temperaturë mesatare prej 11,5ºC. Në afërsi të manastirit është edhe vrellua e Drinit të Zi e përbërë prej dy pjesëve. Njëra pjesë e ka formën të zgjatur, kurse tjetra të rrumbullakët. Që të dy pjesët përbëjnë një liqen të vogël me sipërfaqe prej 0,342 km2. Në pjesën e poshtëme të këtij liqeni të vogël ka edhe disa burime sublakustrike. Rreth fshatit Tushemishtë në anën shqiptare, burimet jatë për 15-20 herë më të pasur me ujë prej të parëve.

Në pjesën lindore të liqenit, në një largësi prej 1,5 km në lindje të Ohrit buron një grup vrellash të quajtura me emrin Burimet Biljane (“Biljani Izvori”). Temperatura në këto burime në muajin gusht është 10,5ºC. Këto burime janë të kaptuara dhe aty tani është themeluar Enti Hidrobiologjik ku bëhet shumimi i peshqeve të cilët pastaj lëshohen në ujrat e liqenit.

Edhe në pjesën perëndimore të liqenit ekzistojnë disa vrello me origjinë nga malet gëlqerore perëndimore. Në afërsi të manastirit Sh. Bogorodica të Kalishtës ekzistojnë disa vrello. Madje edhe ajo në afërsi të fshatit Lin në Shqipëri. Temperatura e ujit në këto burime sillet rreth 9,5ºC. Edhe në këtë liqen janë konstatuar burime sublakustrike, si në anën maqedonase, ashtu edhe në atë shqiptare.

Veçoritë fizike dhe kimike të ujit

Për ekzistencën e jetës në liqen me rëndësi janë edhe cilësitë fizike të ujit. Ato janë: Temperatura, lëvizja e ujit, tejdukshmëria dhe ngjyra.

Temperatura.-  Temperatura e ujit të liqenit në sipërfaqe sillet prej 7,3ºC gjer më 23,5ºC. Ndërsa në thellësitë më të mëdha  është ndërmjet 5,6ºC dhe 6,2ºC. Më të ulta janë në fund të shkurtit, kurse më të larta në fund të gushtit. Në shtresat e fundit nuk ka oshilime të mëdha të temperaturës sikurse që ka në sipëfaqe. Në sajë të studimeve shkencore të bëra lidhur me këtë element fizik të ujit në këtë liqen, masa ujore është e ndarë në tre shtresa termike:

  1. Shtresa sipërfaqësore e ujit të ngrohtë ndërmjet sipërfaqes dhe 15 metrash thellësi ku zbritja e temperaturës shumë pak dallohet, quhet shtresa homoterme  ose epilimnion.
  2. Shtresa e thellë e ujit nën 30 m gjer në bazament, ku edhe ndryshimi zbritjes së  temperaturës shumë vështirë vërehet, quhet homoterme ose hipolimnion.
  3. Ndërshtresa që gjendet ndërmjet  dy shtresave homoterme dhe që dukshëm dallohet ndryshimi i tepmeraturës, quhet shtresë heteroterme, metalimnion ose shtresa e hedhjes termike.

Tejdukshmëria.- Shkalla e tejdukshmërisë të ujit varet prej shumë faktorëve, në radhë të parë prej materjeve të tretura, prej mineraleve të suspenduara nga grimcat organike dhe prej qenieve të gjalla në shtresat e sipërme.  Liqeni i Ohrit pasi ushqehet me ujë burimor të kulluar e të pastërt, pa përzierje me materie të ndryshme të cilat e erësojnë ujin, aty tejdukshmëria është në një nivel mjaft të madh. Tejdukshmëria maksimale është gjatë dimrit. Në muajët e verës tejdukshmëria është e zvogëluar nga shkaku se në këto muajë në shtresën e sipërme të ujit paraqitet një sasi e konsiderueshme e planktoneve. Kështu, në muajin korrik tejdukshmëria sillet gjer më 21,5 metra, kurse në gusht 18,3 m. Me këtë shkallë të lartë të tejdukshmërisë së ujit, Liqeni i Ohrit bën pjesë në liqenet më të tejdukshëm në Evropë (në botë e zë vendin e gjashtë).

Element tjetër që duhet cekur në veçoritë fizike të liqenit, është edhe ngjyra e ujit. Varësisht prej kohës, uji i liqenit ka ngjyrë të ndryshme. Në shtresat e e thella njgjyra është e gjelbërt në të kaltërt. Te manastiri SH. Zaum, në pjesën lindore, ku është edhe thellësia më e madhe, njgjyra duket si e çelët e gjelbërt. Në thellësitë më të mëdha ajo është e gjelbërt në të murme me nyanca të ndryshme. Duke shkuar në brendi të liqenit ajo bëhet më e kaltërt.

përbërjen kimike të ujët marrin pjesë tretjet e kriprave minerale. Liqeni i Ohrit në ujrat e veta përmban 128,0 mg/l, i Prespës 123,5 mg/l dhe i Dojranit më së tepërmi, 274,0 mg/l.

Karakteristikat biologjike

Liqeni i Ohrit, në dallim prej liqeneve të tjerë në rajon, dallon përkah bota bimore e shtazore. Për këtë liqen thuhet se është muzeum më vetë i relikteve të botës së gjallë. Kushtet për jetesë në liqen janë krijuar para milionë vitesh. Aty është paraqitur baraspesha ndërmjet botës së gjallë dhe kushteve fizike që zotërojnë në liqen. Ndaj ky është një faktor që ka ndikuar në paraqitjen e formave endemike të cilat nuk mund të mbijetojnë në ekosistemet e ujrave të tjerë. Gati krejt masa ujore duke filluar prej shtresave të sipërme dhe gjer në bazamentin e liqenit ekzistojnë forma të ndryshme të jetesës. Numri i llojeve të ndryshme të botës së gjallë aty është i madh. Gjer tani janë të ruajtura mbi 146 lloje gjallëresa dhe bimë endemike. Në vazhdim do përmbahemi vetëm për ihtiofaunën e liqenit.

Ihtiofauna e liqenit.- Karakteristikat fizike dhe biologjike të ujit kanë mundësuar që Liqeni i Ohrit të jetë jo vetëm i pasur me lloje të ndryshme të peshqeve, por edhe për  nga cilësia e tyre të dallojë në rajonin e Ballkanit. Jo votëm kaq, aty gjatë procesit evolutiv të liqenit qysh prej kohës kur është krijuar, kushtet në arealin ujor nuk kanë ndryshuar, ndaj është mundësuar që aty të ketë lloje endemike të botës së gjallë prej epokës së tercierit.

Peshqet në Liqenin e Ohrit sipas cilësisë ndahen të tre lloje: trofta (Salmonidae), ngjala (Angulidae) dhe peshqit e bardhë (Cyprinidae). Trofta është e përfaqësuar me 46,00%, peshqit e bardhë me 48,7%, kurse ngjala vertëm me 5,31%.

T r o f t a është e përfaqësuar me dy lloje: letnicën dhe bellvicën. Letnicën e ka në tre variante që dallojnë nga cilësia dhe vendi i jetesës. Ato janë:  letnica e verës, e Peshtanit dhe e Strugës.

Letnica e verës (Salmoletnica aestivalis) për kah cilësia është më e ndëgjuar, gjë që ka ndikuar që të jetë më e kërkuar në treg. Peshën e ka gjer më 2 kg. Më tepër e ka në pjesën lindore të liqenit. Në gjuetinë e përgjithshme , ky lloj peshku bën pjesë me 3,80%.

Letnica e Peshtanit (Salmoletnica tipica) është peshk i dimrit. Më tepër e ka në zonën e Peshtanit, ndaj e ka marrë edhe këtë emër. Mund të gjendet edhe në anët e tjera të liqenit, si në afërsitë e gadishullut Trepet dhe manastirit  SH. Naum.

Letnica e Strugës (Salmoletnica balkanica) është peshk i dimrit. Më tepër e ka në zonën e Strugës. Shijën më të madhe e ka jashtë sezonës së shtimit.

B e ll v i c a  është peshku më i imtë. Peshën e ka prej 15-300 gr. Gjatë verës qëndron në pjesën e liqenit ku uji është i ftohtë dhe thellësia më e madhe. E ka në zonën e Peshtanit dhe të gadishullit Trepet. Bellvica merr pjesë me 3,35% në gjuetinë e përgjithshme vjetore të peshqeve në liqen.

N gj a l a  jeton në thellësitë e mëdha të liqenit. Gjatësinë e ka 80-300 cm, kurse peshën gjer më 3 kg. Gjuhet në Drinin e Zi në stinën e vjeshtës . Kjo është koha kur ngjala shkon në një rrugëtim të gjatë për në detin Sargas në Oqeanin Atlantik. Qëllimi i këtj udhëtimi është për t’u shumuar e pastaj ngjalat e reja kthehen në Liqenin e Ohrit, kurse të vjetrat mbeten në det për jetë. Ky është një fenomen i veçantë i shumimit të këtij lloji peshku.

P e sh q e t  e  b a r dh ë  janë të përfaqësuar me 14 lloje me madhësi të ndryshme. Peshqit e imtë peshën e kanë 5-30 gr, të mesmit 100-150 gr, kurse më të mëdhenjtë peshën e kanë 250-15 000  gr. Në llojet e imtë të peshqeve të bardhë janë: plashica, gruneci, morani dhe shluneci.

Plashica me cilëse dhe sasi është në vend të parë nga peshqit e imtë. Në sasinë e gjuejtjes merr pjesë me 27,21%. Zonat e plashicës në liqenjanë: skelja dhe plazha e qyettit të Ohrit, rreth reoneve të Peshtanit e të Tërpejcës dhe rreth Strugës. Pastaj edhe në pjesën perëndimore të liqenit.

Në kë të lloj peshqesh me madhësi të mesme janë: pisa, mrena dhe skobusi. Në peshqit më të mëdhenj bëjnë pjesë:  stërvi, kleni dhe krapi.

Më poshtë po japim një listë të peshqeve endemikë në Liqenin e Ohrit:

          1. Alburnoides ohridanus

          2. Alburnus scoranza

          3. Anguilla Anguilla

          4. Barbatula sturanyi

          5. Barbus rebeli koler

          6. Condostroma ohridanus karaman

          7. Cobitis ohridana karaman

          8. Cyprinis caprio linnaeus

          9. Gobio ohridanus, karaman

       10. Pachychilon pictum

       11. Palasgus minutus karaman

       12. Phoxinus limaileur Schinz

       13. Rutilus ohridanus

       14. Salmo aphelios, kottelat

       15. Salmo balcanicus karaman

       16. Salmo letnica karaman

       17. Salmo lumi poljakov

       18. Salmo ohridanus steindac.

        19. Scardinius knezevici

        20. Squalius squalus bonaparte

         21. Telestes montenegrinus

Zonat e peshkimit

 Më tepër se dy të tretat e liqenit të Ohrit i takojnë Republikës së Maqedonisë. Në këtë pjesë peshkimi kryhet në dy zona peshkimi: Zona peshkimi e Ohër-Peshtanit dhe zona e Strugës. Në Republikën e Shqipërisë është zona e Starovës.

1. Zona peshkimi e Ohër-Peshtanit

 Kjo zonë e përfshin pjesën veri-lindore, duke filluar prej pjesës lindore të Ohrit e gjer në fshatin Peshtan. Përshkak të hapësirës së madhe që përfshin kjo zonë, popullata që merret me peshkim, e ndan në disa nënzona të quajtura skele.

N ë n z o n a   p e sh k i m i  e  Ohrit.- Përfshin tri skele peshkimi: skelen Megdan, skelen Plashica dhe skelen Maklina. Shtrihet në një gjatësi të vijës bregore prej 25 km.

Skelja Megdan e përfshin pjesën që shtrihet prej Ohri gjer në Strukë. Kjo skele është e vobekët me peshqe, ndaj dhe nuk ka ndonjë rëndësi ekonomike. Këtu mësëtepërti gjuhet krapi, kleni dhe  plashica.

Skelja Plashica përfshin hapësirë më të madhe dhe ka një gjatësi të vijës pregore prej 9 km. Shtrihet prej liqenit gjer në sinorin e Ohrit. Në JL shkon gjer më 7 km nga Ohri. Kjo pjesë e liqenit, në afërsi të vendit Kaneo, ku ka shumë burime sublakustike të pasur me ujë të ftohet e të pastërt, është mjaft e përshtatshëm për troftën. Më tutje, në vazhdim, prej Yçkale dher në vendin Goricë, më tepër e ka plashicë. Pjesa prej Studeçishte gjer në Maklino, është vendjetesa e krapit dhe klenit. Madje në këtë pjesë gjuhet edhe bellvica dge trofta.

Skelja Maklina  Fillon në jug të Goricës dhe vazhdon në një gjatësi prej 10 km. Kjo skele ka një rëndësi të psaçme ekonomike ngase aty gjuhen peshqe të cilësisë së lartë dhe me një sasi më të madhe. Sezona e peshkimit është gjatë muajëve të verës.

 N ë n z o n a  p e sh k i m i e P e sh ta n i t  Përfshin tri skele peshkimi: skelja  Peshtani, skelja Tërpejca dhe skelja Sh. Naum me fushën e Lubanishtës.

Skelja Peshtani fillon në veri të fshatit me të njëjtin emër dh vazhdon gjer në fshatin Tërpejca. Përshkak të cilësisë së lartë dhe sasisë së peshqeve që gjuhen, kjo skele ka rëndësi të madhe ekonomike. Aty gjuhet gjatë tërë vitit, më tepër gjatë muajëve të verës.

Skelja Tërpejca përshkak të kushteve specifike që i ka, peshkimi është mjaft i vështirë. Rëndësinë ekonomike kjo skele e ka më të dobët, krshsdusr me atë të Peshtanit.

Skelja SH. Naum me fushën e Lubanishtës përfshin hapësirë të vogël. Peshqe gjuhen vetëm për nevojat e popullsisë lokale, ndaj edhe rëndësinë ekonomike e ka të vogël.

  1. Z o n a  p e sh k i m i  e S t r u g ë s

Kjo zonë përfshin bregun veri-perëndimor të liqenit. Fllon prej vendit Ribnica, në mes Ohrit e Strugës, dhe gjer në kufirin shtetëror shqiptar. Gjatësia bregore është 23 km. Kjo zonë përfshin sipërfaqe më të madhe  prej nënzonës së parë. Aty i ka tre skele: Struga, Kalishta dhe Radozhda.

Skelja e Strugës ka rëndësi më të madhe ekonomike. Gjatësinë e ka 8 km. Aty më së tepërmi gjuhet krapi dhe ngjala. Duhet përmendur edhe gjuetia e ngjalave në Drinin e Zi me daljanat. Kjo gjueti bëhej në të kaluarën në afërsinë e fshatit Dobovjan dhe bën pjesë në skelen e Strugës. Në lumë gjuhet edhe trofta.

Skelja e Kalishtës gjatësinë e vijës bregore e ka 6 km. Në këtë skele gjuhen gati të gjitha llojet e peshqeve. Më tepër i ka peshqet e bardhë.

Skelja e Radoszhdës shtrihet në gjatësi bregore prej 8 km. Kjo skele është e pasur me plashicë gjatë dimrit, me bellvica dhe troftë gjatë muajëve të verës.

Referenca:

  1. Stojadinoviq, Ç. (1968):Geneza na litoralniot reljev na basenot od Ohridskoto Ezero i negovite tektonski i abrazioni elementi. Godishen zbornik,kn. 16, Geografski Institut, PM Fakultet, Skopje.
  2. Stankoviq, S. (1959): Ohritskoto Ezero i negoviot zhiv svet, Skopje.
  3. Milevski, M. (1970): Ohritskoto Ezero kako vazhno ribolovni i turistoçko popdraçje vo SR Makedonija. Godishen zbornik, kn.18, Geografski Institut, PM Fakultet, Skopje.
  4. Stojadinoviq, Ç. Shapkarev, J. (1962): Vreloto na Crni Drim (“Ostrovo”) kaj manastirot Sv. Naum. Godishen zbornik na PM Fakultet, kn.13, Skopje.
About these ads

Komente»

No comments yet — be the first.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: