jump to navigation

E VËRTETA MBI ORIGJINËN E NJERIUT 28 Qershor, 2010

Posted by Fejzula Abdulai in Shkencë.
trackback

Njeriut qysh në kohrat e kaluara i ka interesuar origjina e tij. Ai ka qenë i interesuar të dijë se në çfarë kushte dhe ku  është krijuar; vallë e ka origjinën prej ndonjë lloji të majmuni me të cilin mund të ketë cilësi biologjike të afërta, apo së bashku me majmunin rrjedhin prej ndonjë trungu të përbashkët si pararendës i tyre. Me këtë çështje janë marrë shumë shkenca që si lëndë studimi e kanë    natyrën ku si element përbërës është  njeriu, ose ato që si lëndë studimi e kanë njeriun dhe bashkësinë njerëzore. Për origjinën e njeriut si element përbërës i natyrës, nuk  është e interesuar vetëm shkenca por edhe mësimi  fetar. Mirpo, kuptohet, shkenca ka botëkuptime dhe shpjegime krejtësisht të tjera nga ato fetaret.

Konstatim i përgjithshëm shkencor është se njeriu origjinën e tij e ka prej ndonjë lloji majmuni. Në fakt, nëse ndërhyjet në esencë do të shihet se sipas teorisë shkencore   origjina e njeriut nuk është  drejtpërsëdrejti prej majmuni, por së bashku origjinën e kanë prej një trungu të përbashkët, gjë që sot dëshmojnë fosilet dhe reliktet e gjetura në disa vende të rruzullit tokësor. Është për t’u theksuar fakti se njeriu me kërkimet shkencore vazhdimisht është orvatur të vjen sa më afër së vërtetës. Jo vetëm kaq, shkenca ka qenë e interesuar ta zbulojë edhe vendin e paraqitjes të njeriut të parë. Vallë ai është paraqitur në një vend apo në shumë vende.

Në eksplikimin tonë të mëtjeshëm do të përmbahemi në teorinë shkencore, përkatësisht në konstatimet që i jep shkenca mbi origjinën dhe vendparaqitjen e njeriut.

Njeriu nuk ka origjinë të drejtpërsëdrejtë nga majmuni

Shkencat që merren drejtpërsëdrejti me origjinën e njeriut, siç janë: paleontologjia, paleoantropologjia, dhe akeologjia; pastaj edhe të tjera që janë të interesuara për këtë çështje si: biologjia e antropogjeografia, kanë ardhur në përfundime shkencore se origjina e njeriut nuk rrjedh nga ndonjë lloj majmuni por prej ndonjë pararendësi që paraqet trung të përbashkët të njeriut me majmunin. Sot kjo teori akoma ka përkrahje shkencore dhe nuk është gjetur ndonjë argument tjetër që do ta dëshmonte të kundërtën. Zbulimi në kohën e fundit i një skeleti të një femre parahistorike në truallin e Etiopisë, është vetëm një fakt shkencor që shkon në përkrahjen e kësaj teorie. Me këtë zbulim kjo teori përfarcohet akoma më tepër.

Mbeturinat e gjetura osteologjike të njeriut të parë, ose thënë saktë mbeturinat të prototipit të pararendësit të njeriut Homo-sapiens i takojnë kohës së postpliocenit. Në fakt, ato i përkasin fundit të pliocenitit dhe  fillimit të kuaternerit (pleistocenit ose diluviumit). Ndaj shumë shkencëtarë  janë të mendimit se këtë të fundit duhet quajtur edhe antropozoik (koha e njeriut). Të dhënat e shkencave vërtetojnë se mbeturinat e para të njeriut dhe të kulturës së tij, përkatësisht që ka filluar të ndreqet e të ecë më këmbë,  janë Australopitekus, Pitekantropus dhe Sinantropus, si pararendës të tij. Këtë shkenca e argumenton me mbeturinat osteologjike të gjetura në shtresimet e postpliocenit në korren e Tokës. Pra, në pleistocenin  e vjetër ose në fillim të diluviumit paraqitet një ndër ndodhitë më me rëndësi në historinë e Tokës. Në realitet, tani fillon të homonizohet pararendësi antropoid. Mirpo, nga ana tjetër, paraqitja e njeriut kursesi nuk duhet të kuptohet si ndodhi  e madhe gjeologjike e cila pat ardhur pa ndonjë zhvillim kuantitativ përgatitor paraprak në evoluimin e tij.

Në kohët më të reja gjeologjike të zhvillimit historik të Tokës, paraqiten ndryshime të mëdha në korren e rruzullit tokësor të përcjellura me lëvizje të fuqishme tektonike. Këto lëvizje më të fuqishme kanë qenë gjatë paradoksizmit alpin, përkatësisht në kohën kur krijohet orogjeni kolosal alpin. Pas kësaj ndodhie në postpliocen dhe fillim të kuaternerit (diluvium) dhe me ndryshimet e mëdha klimatike, paraqitet koha e akullit në zonat e mesme dhe në rajonet e larta malore të rruzullit tokësor. Kuptohet, ndodhitë e këtilla natyrore suallë ndryshime mjaft të theksuara edhe në botën organike, në rradhë të parë tek zhvillimi evolutiv i njeriut.(Supozohet se ndryshimet e këtilla në kohën e re gjeologjike, sipas matjeve absolute shkencore, kanë zgjatur rreth 600 mijë vjet).

Pra, siç shihet, të dhënat shkencore flasin se njeriu me majmunin origjinën e kanë të përbashkët (prej të njëjtit trung). Pastaj me kalimin e kohës, zhvillimi i veçuar evolutiv i tyre ka ndikuar që ata ndërmjet tyre të divergjojnë, njëri të kalojë në antropoid (paraardhës i njeriut) e tjetri në antropomorf (paraardhës i majmunit).

Mirpo, nëse i ndajmë të parët e hominidit prej antropoidëve të tjerë, do të shihet se pararendësit e njeriut kohën e paraqitjes e kanë shumë më të vjetër. Kjo kohë vlerësohet se është në fillim të pliocenit që shprehur në vlera absolute sillet prej 7-15 miljonë vjet. Kjo kohë kaq e gjatë të cilës i paraprin paleogjeni si kohë më e vjetër e periudhës së tercierit, do të shihet se paraardhësit e njeriut janë shumë më të vjetër. Në tercierin e vjetër, përkatësisht në paleogjen paraqitet Parapiteku si qenie më e përsosur, i cili me disa nga cilësitë biologjike ndryshon prej të parit të majmunit. Prej këtij më vonë paraqitet si degë e përsosur Propilopiteku, që ështëformë më e lartë në zhvillimin evolutiv. Edhe kjo fozë zhvillimi është në kohën e paleogjenit. Këto janë fillesat e para kur paraqitet pararendësi i majmunit antropomorf dhe diferencimi i pararendësit të njeriut antropoid. Ndryshimet e këtilla në zhvillimin e mëtutjeshëm evolutiv suallë që të paraqiten antropoidë të tipit më të përsosur të Driopitek-ut. Diferencimet e këtilla, të njeriut nga njëra anë dhe majmunit nga ana tjetër, paraqiten qysh në epokën e miocenit (epoka e vjetër e neogjenit), vjetërsia e të cilës vlerësohet  prej 15-35 miljonë vjet. Nga këto pak fjalë shihet se diferencimi i njeriut nga trungu i para dhe gjer në kohët e sotme, ka një rrugë kohore shumë të gjatë në ecurinë e evoluimit të tij. Në ndryshimet e këtilla të ngadalshme por të sigurta, jo vetëm tek njeriu por edhe tek llojet e tjera që janë paraqitur në natyrë, siç do shohim më vonë, kanë ndikuar faktorët natyrorë dhe vetë aktiviteti i njeriut duke luftuar me natyrën për të siguruar kushte për ekzistencën e vet.

Periudha gjeologjike e kuaternerit në historinë e zhvillimit evolutiv të përsosjes dhe shndërimit të të parit në njeri, cilësohet me faktin se në këtë kohë paraqiten reliktet e të parit të njeriut. Në jug të Afrikës zbulohet Australopiteku, kurse pastaj, si  forma e fundit e antropoidit paraqitet Pitekantropus erektus majmun-njeriu që fillon të ecë drejt, në ishullin Java të Indonezisë. Pra, tani, në kuaterner, paraqitja e këtillë tregon se në këtë kohë krijohen cilësitë e para antropologjike të njeriut të vërtetë. Mirpo, akomo  pa zbulime  artefakte të kulturës së paranjeriut. Më vonë, po në këtë kohë gjeologjike, paraqitet Sinantropus pekinienzis (njeriu i pekinit). Ky është një zbulim që nxjerr në pah përfaqësuesin më primitiv të racës  njerëzore. Aty janë gjetur relikte të skeletit me artefakte prej guri, kocke, druri dhe hiri prej zjarri. Ky zbulim në Kinën Veriore është një fakt, i cili dëshmon njeriun më të vjetër që pat jetur nëpër shpella, me vegla shumëprimitive dhe me shenjat e para të gjuetisë.

Kushtet natyrore në të cilat njeriu pati mundësi të mbijetojë

Meqë njeriu si element  është krijesë e  natyrës, atëheren është e nevojshme që të bëhet fjalë edhe për kushtet fizikogjeografike në të cilët është paraqitur gjatë zhvillimit evolutiv të tij. Pas ndodhive të mëdha të paroksizmit alpin në oligo-miocen (mesi i tercierit), në sipërfaqen e Tokës, në rradhë të parë në hemisferën veriore, ndodhë ndryshime të mëdha fizikogjeografike. Me ndryshimet klimatike në fillim dhe gjatë  pleistocienit paraqitet koha e akullit. Akullnajat e kësaj epoke i mbulojnë pjesët veriore dhe lartësitë më të mëdha orografike në hemisferën veriore. Kjo ndodhi edhe në hemisferën jugore, por me përmasa më të vogla. Ndryshimi i këtillë klimatik solli edhe në ndryshime biogjeografike. Kështu fauna e tercierit filloi të migrojë, përkatësisht të tërhiqet në viset tropikale të Afrikës, ku edhe sot shumë gjitarë i kanë ruajtur format e faunës së tercierit. Sot mbeturina të faunës pikermike të asaj kohe janë të ruajtura në Indi edhe në Gadishullin e Ballkanit (mbeturina të kësaj faune janë gjetur në jug të Greqisë dhe në Maqedoni, në vendin Prevalec në afërsi të Velesit). Si rrjedhojë e ndryshimeve të këtilla klimatike gradualisht u zhduk edhe flora e tercierit. Mbeturinë e kësaj të fundit është pisha Molikë (Pinus Pence Grizus) në malin Pelister të Maqedonisë. Kjo tregon se  disa lloje të asaj flore e  faune patën mundësi të mbijetojnë dhe ta vazhdojnë jetën e vet gjatë tërë kohës së akullit. Kështu, për shembull, disa  prej tyre, siç janë disa lloje të majmutit ose të rinocerontëve, patën mundësi t’u përshtaten kushteve klimatike të ashpërta  në viset e akullnajave dhe të mbijetojnë gjer në fund të diluviumit. (Për të mos qenë në konfuzion lexuesi, kujtojmë se pleistoceni është epokë e kuaternerit në erën e kenozoikut, kurse diluvium quhet koha  e akullit që paraqitet në këtë epokë).

Mund të thuhet se një ndër format e gjalla që paraqitet në gjysmën e dytë të tercierit, që  pati mundësi të mbijetojë dhe të bëjë një luftë të  rrëndë me  ndryshimet e ashpërta klimatike për një periudhë kohore mjaft të gjatë, të ketë një zhvillim evolutiv biologjik të pandërprerë, të krijojë mjete për punë dhe me të të organizojë punë kolektive me qëllim që të sigurojë ekzistencën e vet në hapësirën natyrore ku ndodhej, është Homo sapiens diluvienzis (njeri i mençur). Megjithatë,  është e nevojshme të flitet edhe për vendin se ku është paraqitur njeriu i parë, përkatësisht ku ka qenë areali i parë i tij, në një apo në më shumë hapësira.

Vendi  i  paraqitjes së pararendësit  të  njeriut  dhe

faktorët që ndikuan në transformimin e tij në njeri

Kushtet fizikogjeografike dhe biogjeografike që kanë ekzistuar në  të kaluarën gjeologjike në arealin ku është paraqitur pararendësi i njeriut, nuk kanë qënë të njëjta me ato të sotme, dhe nuk kanë qenë faktor vendimtar në transformimin e antropoidit në homo erektus e pastaj në homo- sapiens. Në këtë aspekt nuk mund të jepet ndonjë sqarim kompleks për zhvillimin evolutiv të njeriut prej kohës së paraqitjes gjer në kohën e fundit, nëse nuk shihen së bashku faktorët natyrore me ata shoqërorë. Me fjalë të tjera, rruga e shndërrimit të antropoidit në njeri është e gjatë dhe shumë e ndërlikuar. Lidhur me këtë çështje në fushën shkencore parashtrohen disa pyetje, të cilat, njëkohësisht, paraqiten edhe si një problem gjeografik me rëndësi. Në fakt, shkenca është orvatur që me  konstatimet e veta të vjen sa më afër realitetit, duke treguar se në çfarë kushte klimatike është paraqitur njeriu nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, në aspektin rajonal, të caktojë se në cilët rajone të rruzullit tokësar është paraqitur; si kanë ndikaur faktorët fizikogjeografik në zhvillimin dhe më vonë në organizimin e jetës së tij e kështu ngjajshëm.

Studimet e përgjithshme në fushën shkencore tregojnë se në sipërfaqen e Tokës, për shkak të ndikimit të shumë faktorëve natyrorë, ekzistojnë shumë zona ose tipa klimatikë. Mund të thuhet se bota organike më e zhvilluar është në brezin klimatik tropikal ku kushtet për jetesë janë më të përshtatshme, ngase aty bota bimore është shumë e bujshëm për shkak të reshjeve të bujshëme dhe temperaturave vjetore të larta. Ndaj këtu proçesi jetësor është më i zhvilluar, krahas me të aty është edhe zhvillimi dhe transformimi më i shpejtë i llojeve organike. Në rrethana të këtilla mund të thuhet se gjinia njerëzore duke filluar pej antropoidit, pat lindur nga zonat tropikale. Në një konstatim të këtillë qartë shihet, jo vetëm dendësia e madhe e botës organike, por se në klimën e ngrohtë tani ekzistojnë edhe lloje të ndryshme të majmunëve, pararendësit e të cilëve kanë qenë të afërtit e njeriut  -majmunët antropomorf. Megjithatë, nga ana tjetër, njeriu nuk mund t’i përshatatej jetës në dru sikurse që është rasti me majmunin antropomorf, i cili edhe sot mund të gjendet nëpër pyjet e pashkelura të klimës tropikale. Njeriu është adaptuar të jeton në fundament të fortë. Ndaj mund të thuhet se njeriu i parë nuk mund të jetë i paraqitur në pyjet e pashkelura tropikale. Këtë edhe sot e vërteton fakti se njeriu këto pjesë të botës akoma nuk i ka të populluara sa duhet, ose ndokund aspak. Shumë prej këtyre hapësirave gjenden jashtë zonës së ekumenës. Mund të thuhet se djep i njeriut të parë duhej patjetër të kenë qenë rajonet e hapura tropikale. Këto janë savanet ku bimësia stepore është mjaft e bujshëme dhe e pyllëzur me dru të rradha.

Megjithatë, supozimi i këtillë nuk është e thënë se mund të jetë i saktë, sepse klima  gjatë epokave gjeologjika ka ndryshuar. Ndryshimet  e këtilla kanë mundësuar që klima e lagët e savaneve, përkatësisht vegjetacioni të vjen në kontakt me klimë tjetër. Në zonat tropikale, p.sh., ku është paraqitur njeriu antropoid, ka pasur rast që aty pyjet e pashkelura të zëvëndësohen me savane. Lidhur me këtë, një studiues i dalluar i kohës thotë: “Diferencimi ndërmjet paraardhësit të njeriut dhe majmunit antropomorf ka pasur mundësi të ndodhë edhe si pasojë e ndryshimeve klimatike…”. Supozimi i këtillë ka ardhur në kundërshtim nga autorë të tjerë të cilët e mendojnë të kundërtën. Sidoqoftë mendim i unifikuar është se diferencimi i antropoidit në njeri dhe evoluimi i mëtutjeshëm i njeriut,  iu përgjigjet ndryshimeve paleoklimatike që kanë ndodhur në të kaluarën gjeologjike. Ndryshimet e këtilla e kanë detyruar njeriun që t’u adaptvohet kushteve të reja dhe, njëkohësisht, të bën një luftë të ashpërt me natyrën për të mbijetuar. Rrethanat e këtilla patën mundësuar që antropoidi si pararendës i njeriut, definitivisht të shndërrohet në lloj të ri të quajtur  homo (antropos). Këto ishin vetëm disa nga faktorët fizikë të antropogjenezës, përkatësisht që patën ndikuar në diferencimin e antropoidit në njeri. Ekzistojnë edhe faktorë shoqërorë që patën ndikimin e vet. Më poshtë do të japim një shpjegim të shkurtër lidhur me këta faktorë.

Faktor i dytë në transformimin e antropoidit në njeri dhe pastaj në zhvillimin e mëtutjeshëm evolutiv, është edhe ana shoqërore e cila në mënyrën e vet e jep bazën e antropogjenezës.

Shumë autorë që merren me studimin e origjinës së njeriut kanë ardhur në konstatim se antropogjeneza është një ndër problemet madhore në shkencën e antropologjisë. Ndërkaq, nga ana tjetër, autorë nga fushat e tjera shkencore, këtë e quajnë edhe çështje me rëndësi në antropogjeografinë fizike. Kjo mund të sqarohet me faktin se origjina e pararendësit të majmunit që bën pjesë në llojin  antropomorf, është një problem biologjik që zgjidhet në suazat e shkencave natyrore, kurse origjina e njeriut (antropogjenezës) është një problem tjetër mjaft i ndërlikuar që kërkon qasje komplekse antropogjeografike. Në fakt për zgjidhjen e çështjes së njeriut nuk mund të shihet vetëm ligjshmëria biologjike që gjendet si fundament i evolucionit të botës së gjallë, por edhe i faktorëve socialë. Pikërisht këtu qëndron problemi i ndërlikuar antropogjen në studimin bashkëkohor sociogjeografik.

Pra, përveç faktorëve fiziko-gjeografikë që u përmendën më lartë, faktori tjetër që ka po të njëjtën rëndësi është edhe ai shoqëror të cilin e përbën vetë njeriu. Nëse antropoidi mbështetej vetëm në atë çka i ofronte natyra e nuk angazhohej vetë me gjymtyrat e veta në procesin e punës, atëheren ai do mbetej në atë nivel që ka qenë qysh në kohën e paraqitjes në savanet tropikale. Në fakt në evoluimin e antropoidit e pastaj në paraqitjen e njeriut të parë, ka ndikuar përdorimi i gjymtyrave të para (duarve) si mjet i parë në angazhimin e tij në luftën që e pat bërë për ekzistencë. Çarls Darvin (Charles Darwin) në veprën e tij “Origjina e njeriut”, lidhur me këtë nënvizon: “Njeriu asnjëherë s’do mbrinte pozitën dominuese në botë pa përdorimin e duarve, si vegël pune që i nënshtrohet dëshirës së tij”. Mendimi i këtillë i Darvinit ka gjetur mbështetje të fortë nga shumë shkencëtarë e filozofë të kohës e më vonë.

Në procesin e gjatë e mjaft të ndërlikuar në formimin e gjinisë njerëzore shihet se pat ndikuar puna edhe atë prej kohës kur njeriu filloi t’i përdorë gjymtyrat e para si vegël pune. Domethënë, pos faktorit natyror, në shndërimin e mëtutjeshëm të antropoidit është edhe angazhimi i gjymtyrave të përparshëme të tij (duarve) në procesin e punës. Kjo mund të sqarohet me faktin se me largimin prej pyjeve të pashkelura tropikale dhe ndryshimeve fitogjeografike, në hapësirat të tjera që dallojnë nga të parat, antropoidi- pararendësi i njeriut, sipas ligjit të evolucionit dhe adaptimit në arealin e ri, filloi ta hedhë hapin e ri në pozitë të erektuar, përkatësisht t’i hedhë hapat e para me gjymtyrat e prapme. Procesi i shndërimit të këtillë, thonë studiuesit e kësaj fushe shkencore, pat zgjatur me qindra mijë vjet. Ndaj mund të thuhet se zbulimi i gjertanishëm i Sinantropusit si zbulim i njeriut të vërtetë, njerëzit e parë në Tokë shfaqen në fillim të kuaternerit. Ky fakt nuk mund të merret si vendimtar në ndreqjen e trupit të antropoidit, pikërisht në marrjen e cilësive të njeriut dhe angazhimin e duarve në procesin e punës, sepse ka zgjatur një kohë shumë të gjatë në epokën e pliocenit e pastaj që kalon në pleistocen (kuaterner). Me fjalë të tjera, angazhimi i gjymtyrave të përparme (duarve) në procesin e punës, njeriu (tani mund të themi njeriu) filloi të lidhet drejtpërsëdrejti në prodhimin e thjeshtë, përkatësisht të prodhojë vegla të thjeshta për punë. Madje, në këtë periudhë kohore të tij, përdorimi i gjymtyrave të para mundësoi që të zhvillohet edhe diç tjetër. Tani, duke përdorur artikulimin, filloi komunikimi ndërmjet tyre. Procesi i këtillë i ngadalshëm por i sigurtë, mundësoj që njeriu të jetë gjallënesa më e shoqëruar.Me çlirimin e njeriut të parë nga varësia e natyrës, u paraqit ekumena e parë në savanet e bujshëme të brezit tropikal, gjë që nuk është rast me gjallnesat e tjera në natyrë. Nga ky shpjegim mund të shihet se faktorët që mundësuan në transformimin e antropoidit në njeri janë të dyfishtë. Të parët janë ata natyrorë, përkatësisht fiziko-gjeografikë dhe të dytit që mundësuan ai të zhvillohet në aspektin social, janë ata shoqërorë me rëndësi të njëjtë si të parët.

Gjinia njerëzore ka origjinë monogjene

Në shpjegimin e mësipërm mund të shihet se shndërimi i antropoidit në njeri dhe zhvillimi i mëtutjeshëm ka ndodhur nga fakti se  ekziston unitet në natyrë, pastaj, se ekziston unitet i jetës dhe unitet i gjinisë njerëzore. Me fjalë të tjera, është e papanueshme mundësia se njeiu mund të ketë origjinë poligjene, përktësisht të jetë paraqitur në kohë të ndryshme dhe në shumë rajone të sipërfaqes së Tokës. Përkrahësit e  kësaj së dytës janë prfaqësuesit e teorisë raciste. Kjo teori diskriminuese, që t’i mbështesë synimet e veta, çdo herë është orvatur që ta kontestojë teorinë e parë që ka mbështetje të shëndoshë shkencore. Duke përkrahur teorinë shkencore, mud të thuhet se gjinia njerësore ka origjinë monogjene, është e njëlloji dhe e paraqitur në mënyrën e njëjtë dhe në të njëjtën kohë në fund të pliocenit e fillimit të pleistocenit. Është paraqitur në një vend të caktuar, në savanet tropikale, përkatësisht në vend të caktuar të Azis Jugore.

Djepi i njeriut, pra, mund të jetë vetëm në një pjesë të një kontinenti ose në vend të caktuar të disa kontinenteve, por jo në çdo vend të rruzullit tokësor, siç pretendojnë disa idealistë në fushën shkencore. Themeluesit e teorisë me përkrahje shkencore, janë të mendimit se njeriu i parë vendparaqitjen e ka në viset  jugore dhe  juglindore të Azisë, duke filluar prej viseve jugore të Kinës gjer në ishullin Java;  pastaj edhe në viset  jugore dhe lindore të kontinentit të Afrikës. Pra njeriu paraqitet në pjesët periferike të  tre kontenenteve: kontinentit të vjetër, Azisë e Afrikës. Ky konstatim gjer tani është i pakontestueshëm, sepse këtë sot e dëshmojnë zbulimet paleoantropologjike e paleontologjike të mbeturinave osteologjike duke filluar prej Australopitekut në jug të Afrikës, gjer në Pitekantropusin në ishullin Java. Këtë sot e dëshmon edhe zbulimi i fundit i Ardit (Ardipitekus ramidus) në Afrikën Lindore (Etiopi).

Në këtë mënyrë shkenca e sqaron origjinën e njeriut dhe zhvillimin evolutiv të tij. Prej kohës së paraqitjes gjer në kohët e fundit, rruga ka qenë shumë e gjatë dhe shumë e vështirë. Që të mbijetonte pararendësi i njeriut (Antropoidi), ka qenë i detyruar që vazhdimisht të bëjë luftë me natyrën. Në fillim ka ecur me katër gjymtyrat e veta, pastaj duke punuar vazhdimisht filloi të shkojë me gjymtyrat e prapcëme (këmbët), kurse të përparmet t’i përdorë për mbledhjen e fryteve të gatshëme, që më pastaj t’i përdorë në procesin e punës për të krijuar diçka. Me angazhimin e këtillë të tij, filloi të paraqitet të menduarit dhe krahas me të edhe të folurit. Me fjalë të tjera, siç thonë studiuesit në këtë fushë shkencore, njeriu duke luftuar vazhdimisht me natyrën për të siguruar ekzistencën e vet, ai atë e ka ndëruar dhe e ka përshtatur sipas nevojave të veta. Njëkohësisht, me ndërimin e natyrës, ai ka ndëruar edhe vetveten duke mbrijtur në nivelin e sotëm të zhvillimit mendor.

(Shënim: Punimi është përgatitur prej literaturës përkatëse shkencore)

About these ads

Komente»

1. almira - 16 Prill, 2011

jo origjina e njeriut
eshte se e ka krijuar zoti

2. drilon - 27 Maj, 2011

shum shkenctar i mir edhe bash po me pelqenn


Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: