jump to navigation

BESIMET E POPUJVE TË VJETËR 26 Korrik, 2010

Posted by Fejzula Abdulai in Publicistikë.
trackback

BESIMET E POPUJVE TË VJETËR NËAZINË
JUGPERËNDIMORE DHE KONCEPTI I TYRE
MBI KRIJIMIN E GJITHËSISË

“Feja për njeriun dhe për shoqërinë është një nevojë   natyrore. Ajo ka ekzistuar bashkë me njeriun dhe do të vazhdojë të ekzistojë bashkë me të edhe në të ardhmen”.

E. Sarikçioglu

Rrethanat shoqërore-historike të pafavorshme që ekzistuan për një kohë të gjatë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar në botën komuniste, patën një ndikim mjaft negativ në zhvillimin e ideologjisë fetare krahas me të edhe në të besuarit  tek njeriu si element përbërës i shoqrisë. Jo vetëm kaq, sistemi i ashtuquajtur komunist që ka pasur një qëndrim të ashpër antifetar, nuk pat lejuar që të shkruhet për çështjen fetare. Ndokund ka qenë aq i ashpër sa që nëse ndokush shpallte haptas ndjenjat e veta fetare, ndëshkohej  nga organet qeveritare.  Pikërshit këto janë arësyet në mungesën e literaturës së shkruar fetare. Mirpo, me ndryshimin e rrethanave të këtilla, përkatësisht me shkatërrimin e sistemit më çnjerëzor që pat kapluar edhe shumicën e vendeve ballkanike, sot falë njërëzve të interesuar për të studiuar ideologjinë fetare, ne mund të gjejmë vepra të shkruara për fenë, ose të përkëthyera nga gjuhët e huja në gjuhën shqipe, posaçërisht mbi historinë e feve prej fillimit gjer në kohët e sotme.

Në kohën e fundit  patëm rastin ta kemi ndër duar një libër me karakter fetar të autorit turk Ekrem Sarikçioglu të titulluar HISTORIA E FEVE PREJ FILLIMIT DERI SOT. Për fatin tonë, ky libër me vlerë është  përkëthyer në gjuhën shqipe dhe botuar në Shkup në vitin 2007. Në këtë libër mjaft studimor, autori në fjalë flet për historinë e feve të njohura deri sot në rruzullin tokësor.

Në shpjegimin tonë të mëtutjeshëm, duke iu referuar kësaj vepre dhe literutës tjetër përkatëse, kryesisht  do përmbahemi në paraqitjen e feve në Azinë Jugperëndimore, ose, siç quhet ndryshe, Lindja e Afërme dhe në shtrirjen e tyre gjeografike në hapësirën në fjalë.

Disa fjalë mbi klasifikimin  e fevë

Shumë autorë që janë marrë me çështjen fetare, qoftë orientalë, ose të botës oksidentale  (perëndimore),  janë orvatur që në mënyrën e vet të bëjnë një klasifikim të përgjithshëm të feve. Kështu, për shembull, disa shkencëtarë perëndimorë fetë i ndajnë në dy grupe: fe që kanë  themelues dhe fe tradicionale, kurse disa të tjerë i ndajnë në fe kombëtare-nacionale dhe fe univerzale.

Edhe autorët muslimanë fetë i ndajnë në dy grupe: në fe të vërteta që bazohen në shpallje dhe në fe botërore-natyrore. Prej klafikimit të këtillë, “…studiuesit e fesë nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për klasifikim unik të tyre, ndaj është e nevojshme që ato të shihen sipas  rajoneve gjeografike”, nënvizon Sarikçioglu,.

Historia e feve në veprat e autorëve të vjetër dhe atyre të mëvonshëm

Edhe pse të radha veprat e vjetra, përsëri mund të gjenden autorë të cilët nëpërmjet studimeve të tyre, flasin për historinë e feve. Veprat e para në këtë drejtim, sipas Sarikçioglu, janë: “Kitab-u Medhahib ul-Keldanijin fi’l-Asnam”, “Kitab-u Esrar ul-Kevakib” dhe “Kitab ul-Karabin”. Këto vepra mitologjike për herë të parë janë përkëthyer në gjuhën arabe (nuk përmendet se prej cilës gjuhe janë të përkëthyera). Pastaj në gjuhën arabe janë përkëthyer disa pjesë të Dhiatës së Vjetër nga ana e autorit Said Fejumi (shek. i katërt i hixhrit).Ndërkaq, vepra që janë të lidhura drejtpërsëdrejti me historinë e feve, sipas këtij autori, janë: “El-Fark bejne’l-Firak”, prej autorit Ebu Mensur Bagdadi (shek. XI) dhe “Kitabu’l Bed’l ve’t-Tarib” të autorit Ebu Nasr Mutahhir ibn Tahir el-Makdisit (shek. i IV i hixhrit). Në këto vepra, veç feve të tjera aziatike, përmenden edhe fetë iraniane, turke, hebraike dhe krishtere. Në shek. e IV të hixhrit paraqitet vepra  “Kitabu’l-Fasl fi’l-Milel ve’l-Ahvai ve’n-Nihal” e një autori të njohur të kohës me emrin Ebu Muhammed Ali b. Hazm (Shek. X-XI). Ky autor, siç thekson Sarikçioglu, në dy vëllimet e para të kësaj vepre, është marrë me sofistët dhe fraksionet e ndryshme filozofike, me hebraizmin dhe me krishterimin. Në vëllimin e tretë dhe të katërt, jep sqarime të çkoqitura lidhur me fraksionet islame. Vlera e këtyre veprave mund të jetë vetëm në aspektin histrik, sepse aty nuk mund të shihen metoda të karakterit modern të kohës ku do nxirreshin në dritë edhe karakteristikat e tjera të feve.

Veprat e kësaj natyre në autorët osmanë

Vepra me përmbajte historike-fetare në studimet e mëvonshëme mund të gjenden në Perandorinë Osmane, përkatësisht në Turqi, ndonse janë të radha, por kanë një vlerë të rëndësishme. Vepër e parë e kësaj natyre është vepra “Esatir” e autorit Shemsudin Sami (Sami Frashëri) e batuar në vitin 1878. Në këtë vepër me karakter mitologjik, bëhet fjalë për legjendat japoneze, skandinave, amerikane dhe legjenda të vjetra evropjane. Kjo vepër edhe pse me karakter mitologjik, për shkak të afërsisë me historinë e feve, shumë autorë e çmojnë si të vlefshme.

Ndër veprat e para që në mënyrë të drejtpërdrejtë e shpjegon historinë e feve, është “Tarih-i Edyan” prej autorit Ahmed Mithat Efendiu-ut (botuar më 1911). Në këtë vepër kryesisht bëhet fjalë për historinë e feve të lindjes (japoneze, kineze e disa të tjera). Një vepër tjetër ku bëhet fjalë për hyrjen në  historisë e feve, është  “Tarih-i Edyan” (e titulluar njësoj si e para) prej autorit Mahmud Esat b. Emin Sajdishehri-ut (botuar më 1912). Kurse vepra me një vlerësim të lartë nga autorët bashkëkohërë, është “Dinler Tarihi” prej autorit Hilmi Omer (Budda), botuar në Stamboll më 1935. Pastaj edhe një vepër tjetër e cilësur me vlerë shkencore nga autorë osmanë, është “Yer Yzyndeki Dinler” e autorit Omer Riza Dogrul, botuar më 1949. Në këtë vepër përfshihet masa e përgjithshme popullore. Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në Turqi botohen disa vepra ku bëhet fjalë për historinë e feve, me theks të veçantë për çështjet ndërfetare dhe fraksionet që kanë ndodhur në të kaluarën historike. Ndër to janë: “Dinler Tarihi”, (1993) prej autorit  Gunay Tumer dhe Abdurrahman Kuçuk  dhe vepra tjetër e titulluar “Din Fenomeni” (1993), e shkruajtur nga autori Mehmed Aydin. Këtu kujdes i posaçëm i jepet mësimit të fesë në gjuhën e simpatizuesve. Jo vetëm kaq, nënvizon Sarikçioglu, në Turqi vazhdojnë edhe mëtutje të shkruhen vepra të kësaj natyre të cilat do t’u jenë në shërbim jo vetëm feve të mëdha, por edhe fraksioneve  të tjera.

Popujt e vjetër në rajon

Popuj të vjetër që patën jetuar  në Lindjen e Afërme (Mesopotami) janë Sumerët. Supozohet se ky popull është bartës i kulturës në këtë rajon. Sumerët aty paraqiten ndokund rreth vitit 3500 para erës së re duke formuar, për atë kohë, një kulturë të lartë. Në kohën e këtij populli janë formuar qytete-shtete. Më të dalluar kanë qenë: Kish, Uruk, Nippur, Lagsh etj. Në çdo shtet qe ndërtuar nga një qytet i rrethuar me mure të lartë, kurse për rreth qyteteve ka pasur fshtara, popullsia e të cilëve merrej me bujqësi. Në qendër të çdo qyteti ka pasur të ndërtuar nga një tempull madhështor. Me paraqitjen e luftrave në mes qyteteve, filluan të lindin mbretëritë. Në atë kohë qenë tetë mbretëri. Bashkimin e qyteteve-shtete në mbretëri e bëri udhëheqësi i Kishit, Etana. Mirpo luftërat e kësaj kohe i dobësuan tepër Sumerët. Kjo mundësoj që ata të pushtohen nga Elamët (2530-2450 para e.s.), e më vonë prej Akadëve (2334-2279 para e.s.).  Në kohën e fisit të Urit të tretë, Sumerët e mbrijtën qytetrimin më të lartë. Mbreti i parë Ur-Nammu përgatiti kodin më të vjetër ligjor të njohur për atë kohë. Pas okupimit të Mesopotamisë nga Amoritët (1900 para e.s.), Sumerët e humbën identitetin e tyre. Mirpo, megjithatë, gjuhët e tyre patën vazhduar të jetojnë në tekstet e shkruara fetare.

Besimet sumere

Sipas besimit sumer, për hyjnitë përdoret termi “Dingir” (ky nocion ka edhe kuptimin “qiell”).  Në gjuhën e vjetër turke këtë kuptim ka termi “Tengiri”. Megjithatë në hieroglifet përdoret termi “An” që ka kuptimin po ashtu “qiell”. Kjo shprehje tek Sumerët ka edhe kuptimin Zot. Sipas besimit të këtij populli, Zoti e ka vendin në katin më të lartë të kupolës qiellore dhe është i vizituar dhe i respektuar nga zotat e tjerë. Emri i tempullit në Uruk quhet Ean (shtëpia qiellore). Ky zot është posedues i çdo gjëje dhe, njëkohësisht, është prindi i zotave të tjerë. Është i vendosur në lartësitë më të mëdha dhe nuk mund të shihet në jetën fetare tek njërëzit. Grueja e këtij zoti, sipas besimeve sumere, është “Ki”. Kjo qe pranuar si hyjneshë e tokës. Vendin e kësaj hyjneshe e zinte Inanna. Anili shtë i biri i Anit (zoti i ajrit dhe stuhisë). Quhet edhe ziti i qytetit Nippur. Në krye të panteonit sumer gjenden zotrat e përmendur, kurse pas tyre vinin zotat e tjerë. Në qytetin Uruk, hujneshë e nderit ishte bija e Anit, Inanna.

Në tërë rajonin e Lindjes së Afërme, në Greqinë e vjetër e në Romë, hasen emrat e shumë të popullarizuara si Ishtar, Afrodit e Venus etj.  Aty hasen edhe emrat Inanna dhe Dunuz. Si zota të mëdhenj në rajon, përfshirë edhe Mesdhenë, kanë qenë Utu (zoti i qiellit), Nanna (zoti i hënës), Ninurta (zoti i luftës) dhe Nergal (zoti i nëntokës). Zotat nëpërgjithësi nuk janë barazuar me natyrën, por vetëm janë llogaritur si udhëheqës të fuqisë natyrore.  Në organizimin shoqëror, Tempulli ka qenë qendër e fronit dhe administrimit shtetëror. Në këtë kohë qyteti-shtet llogaritej edhe si “Shtet i Zotit”. Tempulli ka qenë qendër e fronit dhe administrimit të shtetit Në qytet ndërtoheshin zikkuratë. Këto ndërtesa për sumerët ishin të shenjta. Formën e kishin të kullave piramidale. Këto kulla përbënin shembullin e parë të kullës babilonase. Detyrat krysesore në ceremonitë fetare i takonin mbretit murg.  Sipas sumerëve, shpirti I njeriut vazhdonte të jetojë pas vdekjes.

Besimet babilone dhe asiriane

Pas besimit sumer, në rajonin e Mesopotamisë, paraqitet edhe nje besim tjetë, ai është babilonas dhe asirian. Ndokund nga viti 2600 p. e. së re në këtë rajon imigroi një popull me origjinë semite. Këtu ky popull formoi shumë qytete-shtete. Qyteti i parë semit i quajtur Akad është ndërtuat nga Sargoni në vitin 2350 p. e. së re. Dinastia e tretë sumere e qytetit Ur (supozohet se ky është qyteti më i vjetër në botë) është shkatërruar gjatë kryengritjes së dytë semite. Më vonë, gjatë viteve 2000 p. e. së re formohen shtetet Larsa dhe Isin. Më vonë, Babiloninë si kryeqytet e ka bërë një dinasti kenane. Udhëheqës mjaft i dalluar i këtij qyteti ka qenë Hamurabi. Në veri të Mesoptamisë formohet perandoria Asiriane.

Me përzjerjen e besimeve dhe kulturave të popujve semitë dhe sumere, krijohen fe dhe besime të reja. Këto janë fetë dhe besimet babilonase dhe asiriane. Babilonasit dhe asirianët kanë patur besim politeist ngase feja e tyre përbëhej prej shumë zotave natyrorë. Qytet-shtetet në këtë kohë kanë patur kultin e tyre. Në fillim adhuroheshin mbi 600 hyjni. Më vonë këto hyjni përzihen njëra me tjetrën dhe pranohen si zot mbrojtës i qytetit kryesor. Hamurabi (1728-1686) Babiloninë e bëri kryeqytet dhe qendër fetare. Zoti i këtij qyteti ka qenë Marduku, i cili më vonë kaloj në krye të kuvendit të zotave. Thuhet se përsosja e  sistemi astrologjik, me përpjekjet e murgjeve i është përshkruajtur Mardukut. Po ashtu supozohet se edhe kulla në Babiloni “që ka mbrijtur gjer në qiell”, ka qenë e ndërtuar për nder të Mardukut. Edhe asirët zotat e tyre i patën bashkuar me Mardukun.

Babilonasit dhe asirianët në besimin e tyre politeist, adhuronin hënën, diellin, qiellin, oqeanin dhe nëntokën. Hyjnesha e hënës, e mbetur nga sumerët, quhej Nannari. Kjo hyjneshë është quajtur edhe me emrin Sin. Zoti i diellit ka qenë Shamashi. Për akadët, ky zot ka qenë mbrojtësi i drejtësisë dhe i rregullit. Supozohet se zoti i diellit (Shamashi) ka qenë i biri i hënës (Nannar-Sinit). Anu ka qenë zoti i qiellit, i cili më tepër respektohej dhe adhurohej në qytetin Uruk. Zoti i oqeanit ka qenë Ea, kurse zoti i botës nëntokësore dhe i të vdekurve ka qenë Nargal-i. Paraqiten edhe adhurime të tjera. Besimet e këtilla babilonase asiriane janë në kundërshtim me Kur’anin. Sipas këtij libri të shenjtë, gjërat që lindin, perëndojnë dhe që janë kalimtare nuk mund të jenë zota (E. Sarikçioglu, 2007).

Zotat e tjerë të Babilonasve kanë qenë, zoti i stuhisë, Adad, i cili e krijon shiun dhe me të jep pasuri. Për Asirianët paraqitet zoti Ninura, i cili përfaqëson luftën dhe gjuetinë. Mrojtësi i prodhimit është Dagoni etj.

Paraqitja e monoteizmit është në kundërshtim me politeizmin

Politeizmi si besim i popujve të vjetër të Mesopotamisë duket se nuk ka vazhduar për kohë të gjatë. Megjithatë, me kalimin e kohës patën filluar të bëhen skluptura dhe idhuj. Këto janë bërë të ditura vetëm me transmetimet tradicionale të njerëzve. Thuhet se këto janë njohuri të Biblës dhe Kur’anit. Sipas disa të dhënave në librat fetare, rajoni gjeografik ku është vendosur Noah, quhet Ur. Besimtarët kanë vazhduar me misionet e veta prapagandisike me qëllim që t’i përhapin besimet e tyre politeiste. Mirpo Abrahami (Ibrahimi) me besimin e veta ka qenë ndesh me paraardhësit e tij. Ky ka qenë përkrahës i denjë i monoteizmit, sepse këtë besim e kanë pasur edhe gjyshërit e tij. Prej kohës së këtij profeti fillojnë të paraqiten simptomet e para të monoteizmit, përkatësisht besimit në një zot.

Disa profetë të kësaj kohe

Ibrahimi (Abrahami) supozohet se është djalë i njërit nga nipërit të Nuhit, Azer-it. E jëma është Esmeta, bija e Karnebos. Sipas disa të thënave duke pasur frikë prej Nemrud-it (ky nocion ka kuptimin, sulltan, mbret, udhëheqës, ose prijës; nuk ka kuptimin e ndonjë emri të përveçëm), ky profet fëmijërinë nuk e kalon pranë prindërve të vet, por pranë gjyshit (Nuhit) larg qytetit, prej të cilit e ka marrë edhe edukatën. Pas vdekjes të Nuhit, kur ai ka pasur 15 vjeç, kthehet tek prindi i tij në qytetn Ur. Udhëheqsi i këtij qyteti (Nemrud), i cili ka pasur 40 vjeç, supozohet se ka qenë Hamurabi.Megjithatë, në kohën e fundit, E. Sarikçioglu është i mendimit se emri i Nemrud-it mund të jetë Sargoni I. Në këtë qytet ai (profeti) fillon me propagandimin e Zotit, duke kundërshruar ashpërt politeizmin dhe idhujt. Fillimisht ka menduar se zot së pari mund të jetë ylli, pastaj hëna dhe më vonë dielli. Mirpo, për këto trupa qiellorë pasi konstatoi se nuk perëndojnë menjëherë, por njëri pas tjetrit, ishte i mendimit se nuk mund të merren si zot. Sipas tij nocionet që shprehin termin Zot janë An-a dhe Enn-a, bijat e Ishtar-it, djali i Sin-it (hënës) dhe Shamash-it (diellit).

Në qytetin Ur profeti Ibrahim nuk pat kaluar jetë të qetë, sepse vazhdimisht ka qenë i torturuar nga Nemrudi. Duke qenë besimtar i fortë i Zotit, edhe pse ky udhëheqës i këtij qyteti e hodhi profetin në zjarr, ai me mrekulli pat shpëtuar. Vëllai i tij, Harani, pasi e hodhë në zjarr, përshkak të dyshimit që pati ndaj Zotit, duke mos patur dot mundësi t’i shpëtojë rrezikut, është djegur. Nga ky shkak më pas profeti Ibrahim qe i detyruar që bashkë me familjen të largohet nga ky qytet, përkatësisht Mesopotamia dhe të vendoset në ndonjë vend tjetër. Ai së pari u vendos në vendin Harran, dhe prej aty, më vonë u shpërngul për në Palestinë. Për kohën e lindjes së profet Ibrahimit ekzistojnë të dhëna të ndryshme mes shekujve 20-17 para e.së re.

Jonusi (Jona) rrjeth prej fisit të Ibrahimit. Familja e këtij profeti  pat qenë në mesin e familjeve hebraike të syrgjynosura në Babiloni. Në këtë vend popullin asirian e pat obliguar që të merret me propagandimin e fesë. Emri i tij përmendet edhe në surat e Kur’anit. Në surën e dhjetë emri i tij qëndron Junus. Madje përdoret edhe si Dhunnun dhe si Sahib ul-Hud. Sipas disa të dhënave të literaturës islame, ai është biri i Mattasë, kurse sipas të dhënave në Dhiatën e Vjetër është  biri i Ammittaj-it. Ka jetuar në kohën e mbretit të Jahudas, Osias dhe mbretit izraelit, Jerobeam-it II (shek.VIII p.e.së re). Para popullit të këtij vendi nuk pat gëzuar ndonjë autoritet, ndaj ka qenë i detyruar që të largohet prej aty pa lejën e Zotit. Më vonë, pasi pendohet, kthehet përsëri në vendin e mëparshëm.

Ezekieli ka qenë përkrahës i denjë i monoteizmit. Vazhdimisht ka luftuar që ta mbrojë popullin prej politeizmit sepse, sipas tij, besimtarëve duhet t’u thuhet se ekziston besim vetëm në një zot. Ka jetuar në fillim të shekullit të VI p.e. së re. Pas shkatërrimit të shtetit Jahuda, ka qenë pjesëmarrës në syrgjynosjen e  e parë të popullit hebraik në qytetin e Babilonisë gjatë vitit 597 p.e. së re. Gjatë ligjërimeve publike të tij, është munduar që tek besimtarët të mbajë gjallë anën spirituale. Thuhet se pas shpëtimit të hebrenjëve nga syrgjynosja në Babiloni, është kthyer në Palestinë ku ka vazhduar ta kryej misionin e tij fetar.

Pas Mesopotamisë, Egjypti është vendi ku janë

gjetur tekstet më të vjetra për historinë e feve

Ky shtet në historinë e feve ka rëndësi të veçantë. Sipas të dhënave faktografike mund të thuhet se aty janë zbuluar dokumentacionet dhe tekstet e shkruara më të vjetra të cilët  nxjerrin në dritë të kaluarën e historisë botërore. Pas Mesopotamisë, aty janë gjetur tekstet më të vjetra me përmbajtje fetare. Në aspektin fetar për muslimanët e kësaj ane, në dokumentat e gjetura mund të shihen marrëdhëniet ndërmjet  faraonëve dhe pejkamberëve. Pejkamberë të dalluar kanë qenë Jusufi në shek. XIV p.e. së re dhe Musaj. Emrat e tyre mund të gjenden edhe në librin fetar të muslimanëve, Kur’an. Egjipti është shtet edhe i piramidave, zotave në formë të kafshëve dhe piktografive të ndryshme. Ndaj nga ana e grekëve të vjetër është quajtur si shtet i mistereve.

Ndërtimi i piramidave në Egjypt është bërë në kohë të ndryshme para erës së re. Grupi i parë i ndërtimit të këtyre objekteve është bërë prej vitit 2686 gjer më 1613 p.e. së re në kohën e faraonit të dytë Coser, që i pat takuar brezit të tretë. Piramidat madhështore si ajo e Keopsit, Kefrenit dhe Mikerinosit janë të ndërtuara prej viteve 2613 gjer më 1494 p.e. së re dhe i takojnë brezit të katërt të faraonëve. Mirpo, edhe pse i pasur me objekte historike të vjetra me rëndësi të veçantë botërore në aspektin fetar, ky shtet në atë kohë shkatërrohet, së pari nga asirianët e pastaj nga persianët. Është për të thksuar se në kohën e vjetër Egjypti pushtohet edhe nga Leka i Madh (332 p.e. së re). Para paraqitjes së muslimanëve aty kanë sunduar romakët. Muslimanët janë ata që e shpëtuan këtë vend nga sundimet e të hajëve.

Zgjerimi i feve në Anadoll

Ky rajon ndryshe i njohur edhe me emrin Azia e Vogël, po ashtu ka një rëndësi në paraqitjen dhe zhvillimin e feve. Aty fetë kanë depërtuar më vonë, pas paraqitjes së tyre në rajonet e tjera të Azisë Jugperëndimore. Në sajë të zbulimeve gjeologjike dhe arkeologjike është konstatuar se historia e feve aty fillon ndokund në kohën e hititëve (2100-1800 p.e. së re). Në këtë kohë ekziston paraqitja e shkrimit hieroglif nga ana e hititëve, të cilët e patën mësuar nga të afërmit e tyre. Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se njeriu aty ka jetuar në kohën e gurit.

Hititët kanë pasur fetë e tyre që kanë dalluar nga ato të popujve të tjerë. Këta janë të parët që kanë lënë dokumente të shkruara në lidhje me besimet e tyre. Pjesa më e madhe e dokumentave të zbuluara të asaj kohe janë me përmbajtje fetare. Aty mund të shihet për rregullimet e tempujve, pastaj për fjalët magjike kundër disa smundjeve dhe flijimin e kurbanëve. Madje në tekstet shihet përshkrimi i hyjnive, përkatësisht statujave të tyre. Veç këtyre, janë gjetur edhe materiale të shkruara në shkëmbinj të ndryshëm, të cilët shumë autorë i quajnë tempull në hapësirë. Në muret e tyre janë gjetur vizatimet e zotave të cilëve iu kanë besuar. Çdo zot është i paraqitur me simbolin e vet. Nga kjo mund të shihet se tek hititët ka dominuar politeizmi.

Cilët kanë qenë zotot e këtij populli parahistorik?

Si popull parahistorik në pjsën e Andallit ata kanë pasur bindje politeiste. Kjo mund të shihet në tekste të ndryshme ku përmenden shumë zota. Hititët i kanë adhuruar edhe zotat e popujve të vjetër të rajonit. Zotat kryesorë të këtij populli janë: Proto-Hati, Luvi, Hurri, Mitanni etj. Në besimin e tyre kanë marrë pjesë edhe zotat e sumerëve, akadëve dhe asurëve. Nga kjo mund të shihet se panteoni hitit ka pasur karakter të përgjithshëm. Tek ky popull respekt të veçantë ka pasur Anu, Enlil dhe Ea. Ky trinitet është përfaqësues i zotave të qiellit, tokës dhe oqeanit. Veç këtij aty kanë bërë pjesë edhe trinitete të tjerë, siç është triniteti Sina (zoti i hënës), Shamashi (zoti i diellit) dhe ishta (zoti i yjëve). Nga të dhënat e shumta mund të thuhet se hititët zotat e tyre I kanë përfytyruar në formën e njeriut.

Fetë e vjetra paraqiten edhe në Gadishullin e Arabisë

Sikurse rajonet e tjera të Lindjes së Afërme që kanë pasur fetë e tyre të vjetra, ashtu edhe në këtë gadishull më të madh të rajonit, paraqiten fe të karakterit parahistorik. Disa autorë që merren me studime të feve , në këtë aspekt rajonin e ndajnë në tri pjesë: Arabia Veriore, Arabia Jugore dhe Arabia e Mesme. Ne, që të japim një pasqyrë të qartë, do t’i përmbahemi kësaj ndarje.

Fetë e Arabisë Veriore.- Sipas disa shkrimeve të dhëna për fetë e kësaj ane, ato datojnë prej periudhës  së bronzit. Dokumenti më i vjetër është i shkruajtun në gjuhën e egjiptjanëve dhe daton qysh nga mezi i shek. XIX p.e.së re. Madje ekzistojnë edhe tekste të shkruara në gjuhët e vjetra akade, në atë hitite dhe në gjuhën ugare. Gjithashtu ekzistojnë të dhëna edhe për periudhën e hekurit. Të dhënat për këtë kohë janë të shkruara në gjuhën arameje. Të parat përmbajnë këngë fetare, kurse të dytat përmbajnë shkrime në lidhje me shenjtërimin e ndërtesave, mbishkrime të varrezave, vizatime zotash dhe lutje të ndryshme. Pastaj paraqiten të dhëna të shkruajtura në gjuhën siriane, në gjuhën latine dhe atë greke.

Sipas të shkruarave në Kur’an,  në Arabinë Veriore kanë jetuar profetët dhe kultura të popujve të vjetër të imigruar prej rajoneve të tjerë. Këta popuj aty u kanë besuar hyjneshave. Më e dalluar ka qenë hyjnesha Ba’lat. Në krye të panteonit ka qenë zoti El. Ky ëshe edhe emër i përgjithshëm për zotat e tjerë. Në tekstet e shkruara në gjuhën ugare shihet se zoti El është në krye të kuvendit të zotave. Zotat e tjerë përpara këtij zoti kanë për obligim që të përulen. Zoit El, zotave të tjerë ka mundësi t’u bëjë çfar të duajë. Kësht. P.sh., ai e ka shkatërruar zotin Astar, kurse zotin Baal e ka mbytur. Çdo zot që të formojë mbretërinë e vet duhet të ketë lejën e zotit El. Zotin Kenet dhe Danel i ka shenjtëruar vetë. Nëse ndonjë prej zotave smuret, atë mund ta shërojë vetëm El-i. El-i është pra zoti i gjithçkaje. Ai do paqë dhe qetësi, kurse bota, sipas tij, është e shenjtë. Titulli sundimtar mund të përdoret vetëm për të. Në tekstet e shkruara ugare, grueja e këtij zoti është Asirati. Në shkrimet hitite shihet se kjo hyjneshë është Hasherta që ka qenë grueja e Elkunrishas-it. Në rajonet e tjerë është e njohur si grueja e Amurr-it. Grueja e El-it përmendet edhe me emrin Elat. Zoti Baal sipas disa të dhënave ka qenë  sundimtari i maleve të Sirisë dhe të Libanit. Madje ka qenë edhe zoti i ajrit. Më parë është përdorur me emrin Baal Hadat, kurse më vonë ky i dyti nuk përdoret. Në tekstete të shkruara në gjuhën auare mund të gjenden edhe emra të hyjneshave të tjera.

Fetë e Arabisë Jugore.- Më së miri dokumentacion për fetë në këtë anë mund të gjenden në shtetin më të vjetër të Arabisë Jugore, Saba. Emrat e zotave gjenden në mbishkrime. Zotat janë : Astar, Almakah, Zat-Himjan, Zat-Badan, Havbas dhe Sama. Zoti i shtetit Saba, i cili në atë kohë ka qenë perandori është Almakah. Afërsia e këtij zoti është me hënën, kurse në protokolin e  zotave zë vendin e tretë, kështu thuhet në burimet e shkruara fetare. Sipas kësaj renditje vendin e parë e ze Astari, zoti që ka pas marëdhënie me ujitjen e tokës dhe me punimet bujqësore. Supozohet se është i njëjtë me zotin Ishtar të Mesopotamisë dhe me Astar të fiseve kenanë, i cili aty përmendet si mashkull. Më vonë këtij zoti i janë dhënë titujt Dhu-Farat dhe Zu-Ziban. Madje ka pasur lidhje edhe me yllin-planetin Venus që në popull përfytyrohet si ylli i mëngjesit dhe si ylli i mbrëmjes. Zota të diellit kanë qenë Zat-Himjan dhe Zat-Badan. Nga kjo shihet se zotat në Arabinë Jugore i kanë përfaqësuar trupat qiellorë. Më të adhuruar kanë qenë Zoti i Hënës, Zoti i Diellit dhe Zoti i Yllit. Këtu idhujt përfytyroheshin në formën e kafshëve. Besohej teper tek falli dhe magjia.

Fetë në Arabinë e Mesme.- Për periudhën paraislame të besimit dhe feve të kësaj ane të Arabisë është shumë vështirë të gjenden të dhëna. Shumë autotë që merren me këtë problematikë, thonë se i vetmi burim që jep të dhëna për besimin dhe fetë për këtë kohë është Kur’ani dhe libri “Kitabul’-asnam” (libri pa idhuj). Këtu pos mesimit në shumë zota, besohet edhe në një zot. Sipas popujve të kësaj kohe besimi i një zoti do të thotë që ekziston zot i plotfuqishëm me një forcë absolute. Këtë zot ata e kanë quajtur “Allah”. Megjithatë, në dallim prej besimit të mëvonshëm monoteist, besimtarët mendonin se ky zot është pasiv, qëndron në një largësi që s’mund të arihet. Në punët ditore të tyre ata i shikonin idhujt, duke menduar se ata janë ndërmjetës në mes tyre dhe Allahut. Allahun ata e përmendnin vetëm në rreziqe të mëdha dhe kur e humbisnin shpresën tek ndonjë zot tjetër me fuqi të kufizuar. Pra, siç shihet në Arabinë e mesme edhe pse paraqitet monoteizmi, prap tek popujt e vjetër ekzistojnë elemente të politeizmit. Një numër i knsiderueshëm pat qenë adhurues i politeizmit, i cili, si besim i asaj kohe, vështirë se mund të çrrënjosej.

Populli nuk e refuzonte Allahun, por përsëri mbetej në besimin e idhujve. Kur ishin në rrezik të madh i drejtoheshin Allahut dhe, madje, kur e kalonin rrezikun iu drejtoheshin idhujve. Ata zakonisht bënin personifikimin e idhujve. Sipas tyre ekzistonin edhe shumë krijesa të tjera hyjnore. Hyjneshat Lat, Menat, Uzza, Hubel e shumë të tjera i personifikonin me shkëmbinj, drunj dhe statua. Mendohej se janë femra, ndaj u thoshin vajzat e Allahut. Vetëm Hubeli llogaritej si mashkull. Idhulli i zotit Menat ka qenë një pus i madh dhe gjendej në mes Mekkes dhe Medines. Më së tepërti këtë e adhuronin fiset Evs dhe Hazrexh. Të gjithë arabët këtë zot e kanë pasur kultin e tyre. Zotat e tjerë që adhuroheshin në këtë anë ishin edhe Ruda, Shems dhe Kuzah. Shumë idhuj të kohës paraislame të Arabisë së mesme gjenden në Qabe dhe adhurohen prej fiseve Kurejsh dhe Huza.

Botkuptimi mbi krijimin e gjithësisë

Në burimet fetare gjenden  të dhëna të dryshme mbi krijimin e gjithësisë. Të dhënat e Dhjatës së Vjetër dallojnë nga ato të Kur’anit. Në këtë të fundit nuk është e qartë se kur është dhënë urdhëri për krijim, në fillim, në mes apo në fund. Sipas Dhjatës së Vjetër fillimi ka qenë i zbrazët, përkatësisht nuk ka pasur asgjë. Në këtë kohë ka ekzistuar një erësirë dhe një kaos që nuk mund të jepet ndonjë sqarim. Sipas këtij burimi, zoti në fillim krijoi dritën duke e ndarë nga erësira. Në këtë mënyrë paraqitet dita dhe nata. Kjo pra ndoddhi ditën e parë kur Dielli dhe hëna akoma nuk janë të krijuar. Në ditën e dytë krijohet qielli, kurse në të tretën lagështia dhe thatësira. Tani paraqitet edhe ndarja e tokës nga deti. Pas kësaj paraqiten bimët. Ditën e katërt krijohen Dielli, Hëna dhe yjët. Bota e gjallë paraqitet ditën e pestë. Dita e pestë është e rëndësishme se tani Zoti e krijoi Adamin me fytyrën e tij. Dhe në fund ditën e gjashtë Zoti pushoj. Këto ishin disa të dhëna në dokumentin fetar Dhjata e Vjetër. Mirpo, nga ana tjetër, të dhënat e Kur’anit disi janë të kundërta. Sipas këtij dokumenti të shenjtë, Allahu nuk lodhet dhe nuk ka nevoj për pushim. Afërsia në mes këtyre dokumentave të shenjtë ekziston në atë se, edhe sipas Kur’anit krijimi është bërë në gjashtë periudha. Sipas Kur’anit, kur Allahu dëshiron që diçka të bëhet, thotë vetëm një fjalë “bëhu”. Në Dhjatën e Vjetër mund të shihet edhe për krijimin e njeriut, ku thuhet: “Zoti Ademin e krijoi në pamje të Vet”. Mirpo në Kur’an një shprehje e tillë nuk mund të shihet, sepse aty në ajet thuhet “Nuk ka asgjë të ngjashme me Të”. Ekziston mendim i përgjithshëm për krijimin e njeriut (në fenë islame, në krishterizëm dhe në hebraizëm), se njeriu i parë është Ademi. Ademin dhe bashkëshorten e tij Allahi i zbriti në tokë pasi aty i krijoi kushtet për jetesë. Megjithatë, në shkallën e sotme të diturisë shkencore, thuhet në dokumentat fetare, akoma nuk mund të caktohet mënyra e kësaj zbritje.

Sipas dokumentave të shkruara fetare gjithësia ndahet në : qiell, tokë dhe nëntokë. Këtij rregulli të ndarjes i përsahtatet edhe triniteti i hyjnive. Për leximin e hyjve dhe kuptimin e gjithësisë kanë qenë të intersuar qysh babilonasit e vjetër. Qysh në kohët më të herëta ky popull ka pasur njohuri për lëvizjen e yjve. Pastaj, sipas lëvizjeve të yjve ata i kanë llogaritur shtatë ditët  e javës dhe 365 ditët e vitit. Ditët e javës iu përshkrohen zotave. Dita e enjte është Marduku, i cili llogaritet si Jupiter; Nebui është Merkuri ose e mërkura; Nergali është Marsi ose e marta;  Ninurtai është Saturin ose e shtuna; Ishtari është Venusi ose e premte. Dita e dieli i takon Diellit, kurse e hëna Hënës. Kulturën e vjetër të Mesopotamisë më vonë e kanë përvetësuar grekët dhe romakët.

Nga kjo çka u fol më lartë mund të shihet se botkuptimet mbi fenë tek njeriu janë shumë të vjetra. Njeriu qysh me paraqitjen e tij ka filluar të zhvillojë një ide mbi të besuarit. Kjo ide vazhdimisht me kalimin e kohës është zgjeruar dhe përsosur. Me rritjen e numrit të popullatës botërore, me ndarjen e njeriut në grupacione të ndryshme, me zgjerimin e ekumenës dhe me ekzistimin e kushteve të ndryshme natyrore në rruzullin tokësor, filluan të paraqiten besime, krahas me të edhe fe të ndryshme. Ndërkaq edhe pse ekzistojnë besime të ndryshme në gjeohapsirë, përsëri ekziston një e përbashkët. Ai është Zoti (Allahu). Që të gjitha fetë janë në konstatim se ekziston vetëm një perëndi dhe të gjithë duhet t’i besojnë asaj. Madje mund të shihet se tri fetë kryesore që përfaqësojnë numrin më të madh të popullatës botërore (Islamizmi, Krishterizmi dhe Hebraizmi) janë paraqitur në Lindjen e Afërme.

Komente»

No comments yet — be the first.

Lini një koment