jump to navigation

DISA FJALË MBI KRIJIMIN E SHTETEVE SLLAVË NË BALLKAN DHE NDIKIMI I FUQIVE TË MËDHA 24 Dhjetor, 2010

Posted by Fejzula Abdulai in Politikë.
trackback

DISA FJALË MBI KRIJIMIN
E  SHTETEVE SLLAVË NË
BALLKAN DHE NDIKIMI
I FUQIVE TË MËDHA

Në se  bëhet një vështrim retrospektiv në krijimin e shteteve sllavë në Ballkan,  do të shihet se në këtë anë të Evropës asnjë shtet nuk është krijuar pa pjesëmarrjen e drejtperdrejtë, ose  të tërthortë të ndonjë fuqie të madhe, qoftë perëndimore apo lindore.

Në kontekstin e këtij shkrimi ne do të japim një vështrim të shkurtër në krijimin e shteteve sllavë në hapësirën e Ballkanit, kryesisht duke filluar prej Traktatit të Shen Stefanit, përkatësisht pas mbarimit të luftës ruso-turke dhe gjer në fillim të këtij shekulli, kur krijohen  shtetet e fundit në Ballkanin Perëndimor, pas shpërbërjes së shtetit Jugosllav. Në këtë kuadër do të përfshihet edhe shteti shqiptar i Kosovës, i dalë nga kjo shpërbërje.

Gati të gjithë shtetet që u krijuan në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe në atë Lindor, në ndonjë mënyrë apo tjetër, patën përkrahejn ose ndërmjetësimin  e  ndonjë fuqie te jashtëme të kohës së kaluar edhe asaj të kohëve të mëvonshëme. Kështu, për shembull, shteti Bullgar në lindje të rajonit, si mbretëri bullgare daton qysh në mesjetë, por si një shtet që u quajt “Bullgari e Madhe” krijohet ne gjysmën e dytë të shekullit XIX me ndërmjetësimin e Rusisë, dhe, që si i tillë, nuk e pati përkrahjen e fuqive të mëdha evroperëndimore, ndaj dhe nuk u realizua asnjëherë. Në këtë shekull edhe më vonë, paraqiten e shtete të tjerë sllavë, po ashtu me ndërmjetësimin e fuqive të mëdha të Evropës. Shtete që dallojnë më tepër në ndërmjetësimin dhe përkrahjen e fuqive të jashtëme janë Bullgaria e Serbia, ndaj për këto shtete do bëhej fjalë pak më tepër.

“Bullgarinë e Madhe” e krijoi Rusia

Vetë pozita e favorshëme gjeografike e strategjike e rajonit të Evropës Juglindore pat ndikuar që aty të paraqiten ndryshime gjeopolitike.

Krijimi i një shteti të madh sllav, pas mbarimit të luftës ruso-turke, ka qenë më se i nevojshëm për Rusinë e asaj kohe. Rusia pas ngadhnjimit të luftës me Turqinë,duke i patur lakmi Ballkanit, u përcaktua në krijimin e një shteti të madh Bullgar, i cili pastaj do t’i mbronte interesat e saj dhe do të mundësonte në përhapjen e pansllavizmit, përakatësisht në depërtimin e ndikimit rus  në këtë hapësirë. Interesat ruse aty kanë qenë jetike. Me ngadhnjimin e luftës  me Turqinë, shpresonte se do ta realizonte ëndrrën shekullore për shtrirjen në dorë të Konstadinopolit (Stambollit) dhe me të do t’i mundësohej dalja në Detin Mesdhe e pastaj lidhje detare me vendet e tjera botërore, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, do të kishte kontrollin e  plotë të rrugës tokësore perëndim-lindje, e cila lidh Evropën Qendrore me Lindjen e Afërme, dhe prej aty, me Lindjen e Mesme dhe të Largëme. Në  aktivitetin e vet politik, ajo nuk u përcaktua për krijimin e një Serbie të Madhe (edhe pse kjo kishte një pozite qendrore në Ballkan), nga shkaku se  ngurohej prej politikës së saj të dyanshëme.

Me Traktatin e “Shën Stefanit” (3 Mars 1878), ku u soll vendim për krijimin e këtij shteti të madh, Rusia i cënoj rëndë interesat e vendeve të tjera ballkanike. Aty u përfshinë, veç të tjerave, edhe shumë toka shqiptare. Madje ajo i goditi rëndë edhe interesat strategjike të fuqive të mëdha perëndimore, të cilat, në këtë rast, nuk mbetën indiferente. Sipas këtij traktati, kufiri i Bullgarisë së Madhe në lindje mbërrinte gjer në Detin e Zi; në jug gjer në detin Egje; në veri gjer në lumin Danub dhe në perëndim gjer në Malet e Voskopojës, në Shqipëri. Pjesa tjetër do t’i jepej Rumanisë, Serbisë e Malit të Zi, të cilat në këtë kohë krijoheshin shtete të pavarura. Greqia në jug, nuk përfitoj kurgjë. Nga trojet shqiptare, Bullgaria merrte territoret shqiptare të Korçës, Devollit dhe Pogradecit. Ëndrra e një Bullgarie të madhe nuk u realizua asnjëherë sepse kufijt e saj aktual të krijuar pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk dëshmojnë për një shtet të madh Bullgar.

Edhe Serbia si shtet është krijuar me përkrahjen e jashtëme

Gjatë historisë së vet shumë shekullore, ky shtet është krijuar disa herë në vende të ndryshme dhe jashtë territorit të sotëm kosovar. Kjo flet se Serbia asnjëherë s’ka qenë e kënaqur me vendin dhe hapësirën që e pat përfshirë gjatë formimit si shtet. Këtë e dëshmoj edhe në kohën e fundit me luftrat që i bëri gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë për rëmbimin  e tokave të huaja(për të arsyetuar vetëveten para botës, edhe sot i quan “Serbi e Vjetër”) brenda kufijve të shtetit të vet që ishte duke e formuar.

Krijimi i shetetit të parë serb daton qysh prej shekullit të XI me emra të ndryshme, siç kanë qenë: shteti i Zetës, Rashkës, Duklës, Zahumjes, Travunjës, Pohonjës dhe Bosnjës. Kurorëzimi i mbretit të shtetit të parë serb qe bërë në Zetë (territori i Malit të Zi) në vitin 1077.Mretëria e dyte serbe ka qenë Rashka. Këtë shtetet me emrin e ri të quajtur Serbi, e patën emërtuar sunduesit e dinastisë së Nemanjiqëve. Në vitin 1216 zhupanët serbë këtij shteti ja bashkangjitën edhe tokat e tjera në jug të gllabitura më vonë me dhunë, të cilat i quajtën me një emër Kosovë e Metohi (Anton Bebler, 2008). Siç shihet shteti i parë serb asnjëherë nuk është krijuar brenda territorit të sotëm kosovar, edhe pse ajo pretendon se Kosova është “djepi” i saj. Gjatë sundimit osman, Serbia e organizuar si principatë, ka qenë gjer në vitin 1878, kur pranohet si mbretëri e pavarur. Në krijimin e këtij shteti serb, ndikim kanë pasur fuqitë e mëdha të kohës.

Pas Kongresit të Berlinit (punët i filloi më 13 Qershor 1878),  gjendja e Serbisë nuk qenka e favorizuar, kështu mendojnë autorët serbë. Me këto vendime , p.sh. Austro-Hungaria paska patur mundësi ta pengojë zhvillimin ekonomik të Serbisë. Jo vetëm kaq, ajo mundej ta bënte këtë shtet edhe vazal të vet. Pas këtij kongresi, pozita gjeografike dhe ekonomike e Serbisë, thotë Cvijiqi, u ndryshua mjaft në dëm të saj. Me pozicionimin e vet në anën veriore, Austro-Hungaria e pengoj krijimin e shteteve sllave në këtë anë. Me aneksimin e Bosnjë-Hercegovinës, ajo i bëri bllokadë Serbisë në anën perëndimore. Në këtë mënyrë, thotë Cvijiqi, Serbia qe bllokuar nga dy anët prej një shteti të fuqishëm evropjan, i cili pushtoj toka të huaja të cilat asnjëherë nuk i ka patur të veta. Në këtë mënyrë Austro-Hungaria fitoi dalje të drejtpërdrejë në detin Adriatik. Cvijiqi, duke mbetur i pakënaqur me vendimet e Kongresit të Berlinit, thotë se ndryshimet territoriale që ndodhë, Serbisë e Malit të Zi nuk i suallë kurfarë fitimi. Ato bile nuk i muarrë as vendet e mëparshme që këto dy vende i kanë përvetësuar gjatë zgjerimit territorial të tyre. Madje, me krijimin e një territori politik të ngushtë të quajtur Sanxhaku i Novi Pazarit në mes tyre, këto dy shtete terrotirialisht qenë të ndarë. Fuqitë e mëdha që të kishin të sigurtë se Serbia e Mali i Zi nuk do bashkoheshin, në këtë Sanxhak vendosën administratë turke dhe disa garnizone ushtarake austro-hungareze.

Me vendimet e Kongresit të Berlinit, konstaton Cvijiqi, Serbia fitoi kufij gjeografikë, etnografikë e politikë jonatyralë. Madje nuk iu lejua dalja në detin Adriatik, edhe pse në atë anë popullsia në tërësi, sipas tij, paska qenë serbe! Ndryshimet e këtilla të shkaktuara në këtë kohë, Serbinë e izoluan totalisht nga bota. Duke qenë mjaft i dëshpëruar me vendimet e këtij kongresi, Cvijiqi thotë se në Evropë nuk ekziston asnjë shtet që të ketë një pozitë ekonomike kaqë jotëfavorshme, ndaj dhe thotë: “Pas këtij kongresi Serbia është shtet i izoluar, kurse ne serbët u bëmë popull i burgosur”. Me fjalë të tjera, në sajë të “shikimeve shkencore” serbe, ky vend gjatë krijimit si shtet, nga ana e fuqive të jashtëme vetëm është dëmtuar sepse, asnjëherë nuk i është lejuar t’i përfshijë tokat e mëparshëme për të cilat ka pretenduar se i ka të vetat.

Gjatë shekullit  XX, përkatësisht prej vitit 1918, Serbia ka qenë në përbërjen e të ashtuquajturit  Mbretëri Serbo-Kroate-Sllovene (MSKS). Këtë shtetet fuqitë  e perëndimit (shtetet e antantës, siç quheshin në atë kohë),duke parë interesat e veta strategjike dhe nën presionin e pandërprerë rus e pranuan si shtet. Në përbërjen e Jugosllavisë moniste, Serbia u përfshi pas Luftës së Dytë Botërore. Pastaj, me shpërberjen e këtij shteti, hyn në federatë me Malin e Zi. Në këtë përbërje ajo nuk mbeti për kohë të gjatë. Prej vitit 2006 ajo është shtet  më vete.

Ja pra kjo qe historia e shkurtër e shtetit Sërb, në krijimin e të cilit ndikim patën edhe fuqitë e mëdha, si të perëndimit, ashtu edhe të lindjes. Në fund të shekullit të kaluar ndikimi i jashtëm në krijimin definitiv të këtij shteti qe diametralisht i kundërt.Shtetet BE  dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës patën kërkuar dhe vazhdimisht janë duke kërkuar që Shteti i ri Serb t’i përfshijë vetëm ato hapësira që i takojnë, por jo edhe ato që më parë i pat rëmbyer me dhunë, si bie fjala Kosovën e shumë vende të tjera për rreth. Nga ana tjetër, Rusia duke synuar që ta ruaj ndikimin e vet në rajon, vazhdimisht e ka përkrahur krijimin e një Serbie të Madhe,  përfshirë edhe Kosova.

Krijimi i Shteteve të tjerë në Ballkanin Perëndimor

Në fund të shekullit të kaluar në Ballkanin Perëndimor, me shpërbërjen e federatës jugosllave, krijohen shtete të rinj të pavarur e sovran.

Maqedonia si hapësirë gjeografike, me këtë emër ekziston qysh në kohën antike. Me territorin që ajo e përfshin sot (jo edhe si shtet më vete), ekziston prej vitit 1913, përkatësisht me mbarimin e luftërave ballkanike (Lufta e Dytë Ballkanike mbaroi më 10 gusht 1913). Pas kësaj kohe, menjëherë okupohet nga Serbia, pastaj edhe nga Bullgaria. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore ajo riokupoket nga Serbia dhe pastaj hyn në përbërjen e Mbretërisë Serbo- Kroat- Sllovene ( prej vitit 1929 quhet Mbretëri Jugosllave) gjer në vitit 1943.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur vendi akoma nuk ish çliruar nga okupatori fashist, me vendimin e AVNOJ-it më 29.XI. 1943, në mënyrë “vullnetare” hyn në përbërjen e federatës jugosllave, e cila gjer në vitin 1991, kur shpërbëhet tërrësisht, e ndërron tri herë emrin. Dhe sëfundi më 8.IX.1991 shpallet shtet i pavarur e sovran me emrin kushtetues, Republika e Maqedonis, duke u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga përbërja e një shtet i krijuar artificialisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me emrin kushtetues Maqedonia është pranuar nga shumë vende të botës, duke përfshirë edhe shtetet me ndikim të madh në botë si, ShBA, Kina, Rusia e shumë të tjerë. Megjithatë, është për t’u theksuar se me këtë emër ajo kategorikisht kontestohet nga shteti fqinj jugor i saj- Greqia, e cila thotë se ky emër (Maqedoni) është nocion gjeografik i një hapësire që historikisht çdo herë i ka takuar Greqisë, e jo këtij shteti i krijuar shumë më vonë prej një populli i ardhur nga stepat ruse, i cili më vonë emrin e mer prej këtij  rajoni që quhej maqedoni.

Në kuadër të krijimit të këtyre shteteve, Mali i Zi ka një të kaluar historike si të Serbisë. Ky shtet gjatë shpërbërjes së Jugosllvasë së fundit, me kërkesën e BE më 19 maj 2003 hyri në union federativ me Serbinë, por për një kohë të shkurtë. Definitivisht prej këtij shteti u nda më 3 Qershor të vitit 2006, duke u shpallur si shtet më vete i pavarur e sovran. Tani pas 88 vjet Mali i Zi është shtet më  vete. Në dallim prej dy shteteve të përmendur më lartë, të dalë nga ish federata jugosllave, ka dalje të drejtpërdrejtë në detin Adriatik dhe me këtë definitivisht ja mbyll rrugën njëherë e përgjithmonë shtetit serb që të ketë dalje në det.

Shtet që në të kaluarën e vet vazhdimisht ka qenë i okupuar është Bosnja e Hercegovina. Ky shtet në të kaluarën asnjëherë nuk ka qenë i pavarur e sovran. Me pozitën e vet strategjike për kurdoherë e pat tërhequr vemendjen e fuqive të jashtëme. Kështu, bie fjala, pas kongresit të Berlinit aneksohet nga Austro-Hungaria.

Në emrin e Bosnjë e Hercegovinë janë dy emra, Bosnjë si dhe

Hercegovinë. Këto janë emra të dy krahinave, të cilat sipas formimit kanë vjetërsi të ndryshme. Emri Bosnjë për herë të parë përdoret ndokund kah mesi i shekullit të dhjetë. Me këtë emër janë përfshirë hapësirat në rrjedhjen e mesme e të sipërme të lumit Bosnjë. Kurse Hercegovina emrin e merr në shek. e XV. Në këtë kohë sunduesit  e kësaj hapësire e patën bartur emrin herceg.

Në shek. e X Bosnja krijohet si shtet me territor të vogës në rjedhjen e sipërme të lumit Bosnja. Në fillim të shek. XI bie nën sundimin e Bizantit. Në gjysmën e këtij shek. okupohet nga krali (mbreti) i Zetës.Në shek. e XII Bosnja përsëri është shtet më vete. Në vtitn 1180 me Bosnjën pat sunduar Kulin bani ose “Bani i madh” duke e quajtur Bosnjën si shtet të pavarur. Shtetësinë më të madhe ky shtet e fiton  gjatë shek. të XIV në kohën e Tvërtkos së Parë. Tani Bosnja përfshin një hapësirë shumë më të madhe, duke përfshirë edhe Hercegovinën.  Në vitin 1463 Bosnja e Hercegovina bie nën sundimin e turqëve osmanlinj gjer në vitit 1878 kur okupohet nga Austro-Hungaria.

Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Bosnja e Hercegovina hyn në përbërjen e shtettit sllav me emrin Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene (MSKS), ose më vonë Mbretëria Jugosllave. Kurse, pas Luftës së Dytë Botërore hyn në përbërjen e Federatës Jugosllave. Në këtë përbërje mbetet gjer në dekadën e fundit të shekullit të kaluar.Prej  5 Mars 1992 Bosnja e Hercegovina është shtet i pavarur e sovran.

Në Ballkanin Perëndimor me shpërbërjen e Jugosllavisë në fund të shekullit të kaluar, paraqiten edhe dy shtete të tjera, Kroacia e Sllovenia.

Simptomet e para të krijimit të shtetit Kroat paraqiten qysh në mesjetë. Ky shtet për një kohë të gjatë pat qenë nën okupimin e habzburgëve, përkatësisht Austro-Hungarisë. Nën këtë okupator është gjer në mbarimin e Luftës së Parë Botërore. Pas kësaj lufte hyn në përbërjen e Mbretërisë Serbe-Kroate-Slloven (MSKS), që më vonë quhet Mbretëri Jugosllave (prej vitit 1929), gjer në Luftën e Dytë Botërore. Akoma pambaruar kjo luftë, krijohet shtet i ri jugosllav me orienitm socialist. Edhe tani Kroacia hyn në përbërjen e këtij shteti. Në këtë përbërje qe gjer më 25 Qershor të vitit 1991, kur shpalli pavarsinë e vet. Sot ky shtet me emrin kushtetues Republika e Kroacisë, është shtet i pavarur e sovran.

Shtet tjetër që doli nga shpërbërja e Jugosllavisë së fundit, është Sllovenia. Ky shtet, njësoj si Kroacia, për një kohë të gjatë qe nën sundimin e Austro-Hungarisë (habzburgëve). Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore me shkatërrimin e Austro-Hungarisë, hyn në përbërjen e shteti të ri me emrin Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene, i cili më vonë, prej vitit 1929, u quajt Mbretëri Jugosllave. Nën këtë mbretëri mbeti gjer në Luftën e Dytë Botërore. Tani hyn në përbërjen e Jugosllavisë socialiste, gjer në shpërbërjen e saj në fund të shekullit të kaluar. Prej 25 Qershor 1991, Sllovenia është shtet i pavarur e sovran me emrin kushtetues, Republika e Sllovenisë.

Pas konstituimit të ish republikave jugosllave si shtete më vete në Ballkanin Perëndimor, më së fundi, për herë të parë në historinë e vet, populli shqiptar i mbetur jashtë shtetit amë, me luftën e vet heroike dhe me

përkrahjen e faktorit të jashtëm liridashës, krijon shtetin e vet. Ky shtet tani u quajt Republika e Kosovës.

Territori kosovar, i cili asnjëherë në historinë e vet nuk ka qenë i organizuar si shtet, kurdoherë ka qenë i okupuar (kolonizuar), por jo edhe të ketë qenë territor i ndonjë shteti tjetër. Gjatë shekullit të kaluar, i cili mund të thuhet se ka qenë më dramatik, populli i okupuar shqiptar i kosovës pati rastin që tre herë të përjetojë shkatërrimin e  shteteve shumëkombëshe – Perandorinë Osmane, Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene (ose Mbretërinë Jugosllave) në mes dy luftrave botërore dhe, në fund, Federatën Jugosllave, të krijuar artificialisht pas Luftës së Dytë Botërore. Në të tre këto raste Kosova ka qenë e okupuar, ekonomikisht e shfrytëzuar, kurse politikisht populli shqiptar ka qenë i diskriminuar dhe përkurdoherë pat qenë si një pakicë kombëtare e radhës së dytë. Nga aspekti ekonomik mund të shihet se ka qenë rajoni më i pazhvilluar, kjo nga fakti se e tëra pasuria e saj, në radhë të parë ajo

nëntokësore, ka qenë e shfrytëzuar për nevojat e rajoneve të tjera të vendit, e jo për ato të Kosovës. Madje edhe nga pikëpamja politike populli kosovar pat mbetur shumë prapa. Të drejtat e veta, sikurse popujt sllavë, shqiptarët asnjëherë nuk i kanë patur. Kjo mund të shihet edhe në ngecjen e zhvillimit arsimor-kulturor. Aty, përherën e parë në historinë e vet, populli shqiptar kosovar në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, hapi univerzitet për shkollim të lartë. Më vonë edhe Akademinë e shkencave e arteve.

Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, me shpërbërjen e Federatës Jugosllave, kur ish republikat që ishin në përbërjen e këtij shteti, krijuan shtetet e veta të pavarua, Kosova nuk e pati këtë fat. Ndryshimet e këtilla nuk qenë paqësore. Gati të gjitha republikat u shkëputën me një luftë ndëretnike tejet shkatërruese. Shaktar i kësaj lufte pat qenë Serbia e cila, nën hijen e mbrojtjes kinse të Jugosllavisë, synonte që të krijojë Serbinë e madhe.

Kosovën ajo asnjë herë nuk e pranonte si njësi politike në përbërjen e Jugoslalvis, por e quante si territor të vet. Ky qe shkaku që ajo duke dashur që të mos e lëshojë shkëputjen e saj, bëri një luftë më çnjerëzore ndaj popullit shqiptar kosovar, duk shkaktuar vrasje dhe largimin  me dhunë të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore. Dhuna  serbe mbaroj me intervenimin e forcave të jashtëme paqëdashëse të cilat nuk lejuan që aty të ushtërohet një gjenocit ndaj një populli paqëdashës e liridashë.

Në fillim të këtij shekulli, me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, përkatësisht Bashkësisë së Evropës edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, populli kosovar i shumëvuajtur, më 17 Shkurt 2008 shpalli definitivisht pavarsinë e vet të shumëpritur nga Serbia e udhëhequr nga një politikë shfarosëse dhe ekspanzioniste.

Prej kësaj që u fol më lartë, mund të shihet se në sajë të pozitës

strategjike që ka Ballkani, në zhvillimet gjeopolitike ndikimin e vet e kanë patur edhe fuqitë e mëdha.

About these ads

Komente»

No comments yet — be the first.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: